Rrëzohet një avion rus me 15 persona në bord
Një avion ushtarak transportues i Rusisë është rrëzuar të martën derisa po ngrihej nga një bazë ajrore në perëndim të Rusisë, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Kjo ministri ka bërë me dije se 15 persona ishin në bordin e avionit. Sipas saj, tetë prej tyre ishin pjesë e ekuipazhit, ndërsa shtatë të tjerë udhëtarë.
Ministria nuk ka treguar nëse kishte apo jo të mbijetuar.
Zjarri në motor gjatë ngritjes ka mundur ta shkaktojë rrëzimin e avionit, sipas ministrisë.
Avioni katërmotorësh, “Il-76” është avion transportues që është përdorur prej viteve ’70 nga forcat ajrore sovjetike dhe pastaj nga ato ruse.
Rrëzimi i avionit ka ndodhur në një ditë kur Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka raportuar se Ukraina e ka sulmuar me dronë dhe raketa.
Në të kaluarën, dronët ukrainas i kanë goditur disa baza ajrore ushtarake thellë brenda Rusisë.