Rrëzohet padia e PD-së dhe LSI-së për zgjedhjet e 30 qershorit
Kolegji zgjedhor në Shqipëri ka rrëzuar padinë e Partisë Demokratike (PD) dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e cila nuk ka regjistruar këto dy parti në zgjedhjet e 30 qershorit, me argumentin se nuk janë të regjistruar në zgjedhjet lokale.
Më herët, Ivi Kaso përfaqësuesi ligjor i PD-së kishte deklaruar se kjo është një e drejtë që i është mohuar PD-së dhe LSI-së, pasi sipas tij përcaktimi i anëtarëve të KZAZ-të u takon në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2017.
“Vendimmarrja e tyre e paligjshme. Cenon të drejtën tonë qe e kemi fituar në zgjedhjet e shkuara. Kërkojmë shfuqizimin e vendimit të KQZ-së dhe gjykimin e çështjes në themel duke miratuar kandidaturat tona për komisionerë”, ka thënë Kaso.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i LSI-së është shprehur para vendimit të Kolegjit zgjedhor se: “KQZ ka veshur syzet politike duke thënë se ne s’jemi parti parlamentare. Se i kujt është Kujtim Gjuzi dhe Ylli Shehu na thoni. Vendimi i KQZ i paligjshëm dhe i pabazuar në Kod Zgjedhor”.
Deri më tani, Kolegji zgjedhor nuk ka zbardhur vendimin e argumentuar që nuk i lejon PD-së e LSI-së që të kenë anëtarë në KZAZ në zgjedhjet e 30 qershorit. /Top Channel/