RrGK falënderon deputetët për mbështetje buxhetore viktimave të dhunës
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), përmes një letre drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës u ka shprehur atyre falënderimet për mbështetjen e dhënë për krijimin e buxhetit për strehimoret dhe qendrat ditore për viktimat e dhunës në Kosovë.
RrGK më 7 dhjetor të vitit të kaluar ka dërguar një letër, përmes së cilës ka avokuar për krijim të një linje buxhetore në vlerë prej 660,000 eurosh, nëpërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), të cilat do të mbulonin të gjitha shpenzimet për strehimoret dhe qendrat ditore për viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit me qenie njerëzore dhe fëmijët pa përkujdesje prindërore. Sipas vlerësimeve të bëra nga përfaqësueset e strehimoreve, si dhe kërkesës së aprovuar, strehimoret dhe qendrat ditore nga ky vit do të financohen me vlerë prej 60,000 euro.
“Me datë 3 shkurt të vitit 2019 Kuvendi i Kosovës ka aprovuar Buxhetin për vitin 2019, në të cilin është përkrahur edhe kërkesa e RrGK-së, që të sigurohet buxhet i përhershëm për strehimoret dhe qendrat ditore, me qëllim që të mbulohen të gjitha shpenzimet, përfshirë këshillimin dhe përkujdesjen e viktimave të dhunës në familje, viktimave të trafikimit me qenie njerëzore dhe fëmijëve pa përkujdesje prindërore”, është thënë në komunikatën e RrGK-së.
Rrjeti i Grave të Kosovës së bashku me të gjitha përfaqësueset e strehimoreve dhe qendrave ditore, falënderon të gjithë deputetët e Kosovës, të cilët kanë aprovuar këtë kërkesë dhe e kanë votuar në parlament.
“Me këtë rast, ne inkurajojmë Ministrinë e Financave dhe atë të MPMS ta zbatojnë këtë linjë buxhetore, në përputhje me rregullat e menaxhimit të financave publike, si dhe mbështetjen financiare për strehimoret dhe qendrat ditore, ashtu siç parashihet në Buxhetin e vitit 2019”, thuhet në letrën e RrGK-së.