RrGK tejet e shqetësuar për sulmin seksual ndaj të miturës në shkollë
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dënon ashpër incidentin e fundit të sulmit seksual ndaj një të miture nga arsimtari i saj në një shkollë në Deçan.
“Jemi thellësisht të shqetësuara dhe të indinjuara nga një shkelje kaq e rëndë e besimit dhe e sigurisë së vajzave tona të reja. Ky akt i tmerrshëm i sulmit seksual shërben si një kujtesë e fortë se ne duhet t’i japim përparësi mbrojtjes së vajzave dhe të miturve brenda shoqërisë sonë, madje edhe brenda në shkolla. Është koha e fundit që shoqëria dhe institucionet të marrin qëndrim kundër këtyre krimeve dhe të sigurojnë që autorët të marrin dënimin e merituar, pa asnjë kompromis”, është thënë në reagimin e RrGK-së.
Më tej theksohet në reagim se është dëshpëruese të shohësh që këto sulme ndaj vajzave ndodhin pikërisht para syve tanë, ndërkohë që institucionet shpesh nuk arrijnë të japin drejtësinë dhe masat e duhura parandaluese.
“Ngjarja në institucionin arsimor ku nxënësit duhet të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur nxjerr në pah një situatë alarmante. Nuk mund të mos pyesim veten se sa raste të tjera nuk raportohen. RrGK u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që këtë rast ta trajtojnë si çështje me prioritet të madh, ashtu siç duhet me çdo rast tjetër të ngacmimit dhe sulmit seksual. Shkollat, në veçanti, duhet urgjentisht të krijojnë mekanizma të fuqishëm për të trajtuar rastet e dhunës, ngacmimeve dhe sulmeve seksuale”, theksohet në reagimin e RrGK-së.