RrGK: Zgjedhjet dëshmuan forcën e grave, përpjekja për barazi vazhdon
Rrjeti i Grave të Kosovës ka vlerësuar se zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021 kanë sjell një ndryshim shpresëdhënës për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në politikë dhe procese vendimmarrëse.
Përmes një komunikate për media, ky rrejt ka vlerësuar së krahasuar me zgjedhjet e kaluara (2019), përfaqësimi i grave në Kuvendin e Kosovës është rritur për pesë ulëse.
“Nga gjithsej 120 ulëse do të jenë 44 deputete apo 36.6%, kurse në legjislaturën e kaluar kjo shifër ishte 32.5% apo 39 deputete. Për më tepër, edhe kësaj radhe më shumë gra janë zgjedhur pa kuotë se sa që janë zgjedhur falë saj. Sipas rezultateve të deritanishme të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vetëm 11 prej 44 deputeteve të zgjedhura kanë pasur nevojë për kuotë për të siguruar ulësen parlamentare, kurse 33 gra kanë fituar pa kuotën gjinore”, është thënë në komunikatë.
Sipas këtij rrjeti, kjo nuk është barriera e vetme që gratë kanë thyer në këto zgjedhje. “Ato arritën këtë përfaqësim sado që ishin të nënpërfaqësuara në listat zgjedhore të partive politike, kjo duke kujtuar se asnjë nga partitë politike, as këtë herë, nuk zbatuan Ligjin për Barazi Gjinore”, është thënë në komunikatë.