RRIPI I SHPËTIMIT

15 maj 2024 | 17:19

Shkruan: Behxhet Sh. SHALA- BAJGORA

Pas darkës, kush do të ketë barkë dhimbje: Albin Kurti dhe Memli Krasniqi e hëngrën Darkën e Fundit në “Garden”. Para se të takohen në restoranin Garden – Park kaluan një rrugë përplot me thera duke u ballafaquar në jo pak raste me një gjuhë kaktusi që thumboheshin, nga pozita sulmuese dhe mbrojtëse. Albin Kurti kishte qëndrim shpërfillës, nënçmues, fyes, të pandershëm dhe brutal ndaj opozitës, specifikisht kundër PDK -së ndërkaq që LDK- në e mbante nën kontroll përmes cowgirl – lopares që po bënë sfilata nëpër rançet e Amerikës e që për fatin tonë të shëmtuar është presidente e Kosovës. LV gjithmonë e ka trajtuar LDK -në si patericë rezervë nëse i thyhen këmbët qeverisë. E takova një mik para dy jave dhe, në bisedë e sipër folëm për koalicionet e mundshme. Unë mbroja qëndrimin se koalicioni do të jetë midis LVV dhe LDK sepse kanë shumë pika afruese dhe fare pak dalluese përkatësisht ishte një bashkëdyzim midis Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit , si urryes patologjik të UÇK -së ndonëse nuk lënë masakër a ngjarje nga lufta pa përkujtuar. Ndershmërisht e pandershme, moralisht e pamoralshme! Nuk ka urrejtës më të mëdhenj të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani edhe pasi i dërguan në Burgun në Hagës. Edhe tash i urrejnë, fort dhe ulët ani pse falë tyre sot i kanë këto piste që i kanë. Opozita në Kosovë ka qenë e mjerë, tani është edhe më e mjerë. Pozita me arrogancën e mbi 50 për qind të votave, gjatë këtij mandati nuk e ka bërë asnjë punë të hajrit në planin e mirëqenies sociale, politik, ekonomik, investimeve kapitale ndërkaq që në arenën diplomatike ndërkombëtare , pa asnjë njohje dhe pa asnjë anëtarësim në ndonjë institucion ndërkombëtar e ka promovuar prostitucionin diplomatik përmes një injoranteje, ndryshe urrejtëse patologjike e UÇK – së, të burgosurve politikë dhe Bacë Adem Demaçit. Tash, po kjo analfabete diplomatike deklaron se mund të bëjnë koalicion me PDK – në vetëm pasi kjo parti të lirohet nga kriminelët kurse Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin dhe të tjerët i konsideron super kriminelë prandaj, me të gjitha forcat është angazhuar që ata të dërgohen në Hagë me dëshirë që mos të kthehen kurrë. Realisht, kjo farë fatkeqësie diplomatike në rrethanat si janë duke u zhvilluar pozitën më të lartë që mund të ketë është si ndihmëse e Xhevahire Izmakut apo përkthyese e Artan Nimanit, ndryshe përforcime me forcë nukleare politike të Nismës dhe AAK-së. Ai miku që e përmenda më lartë më tha se qenkam totalisht i painformuar shkaku se po punohet për koalicionin ZDRAVO dhe PRONTO. Mbeta i pafjalë. Çka i parapriu Darkës së Judes: KM Albin Kurti që nuk lë konferencë a kanaxheq që e bëjnë partitë e majta në Evropë pa marrë pjesë ndonëse e bënë jetën e superaristokratit nga Gjermania lëshoi kushtrimin se personalisht do të angazhohet që ta bëjë shumicën parlamentare për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe të Kodit Civil. Kjo siguri në deklarim u bë vetë pasi, si po duket mori premtimin e një partie, duket të jetë kjo PDK se do ta votojë kalimin e këtyre marrëveshjeve.

Prandaj Kurti, me dinakërinë, inteligjencën dhe bizantinizmin e papërsëritshëm e hodhi karremin e një takimi për dinamizim të të legjislacionit ani pse Kosova ka shumë probleme më të mëdha dhe më akute për t’i zgjedhur. Nuk është aspak e rastit që këtë karrem e hodhi para mbajtjes së mbledhjes vjetore të ministrave në Këshill të Evropës ku më parë nga institucionet kosovare morëm garanci se Kosova do të bëhet anëtare e këtij Institucioni numër 1 botëror për mbrojtje të drejtave të njeriut. Tash po del të mos jetë e përfshirë as në rend dite çështja e anëtarësimit. I gjetur lakuriq si mbreti në përrallat e Andersonit, Albin Kurtit i është dashur një gjethe fiku për ta mbuluar lakuriqësinë, dështimin në Këshill të Evropës dhe këtë e siguroi përmes takimit me PDK – në, në Darkën e Fundit që mençurisht e refuzuan LDK dhe AAK . Këto dy subjekte politike shumë drejt treguan adresën ku duhet të diskutohej tema e propozuar nga KM Kurti, Kuvendi i Kosovës dhe grupet parlamentare janë adresat për këtë temë. Lehtësia me të cilën PDK e pranoi ftesën për darkë nxit dyshime përtej të bazuara për ndonjë allishverish paszgjedhor apo qeveritar midis LVV dhe PDK ndonëse ende në fazë të spekulimeve.

Memli Krasniqi, kryetar i PDK – së më herët pati refuzuar takimet me Kurtin , kishte qëndrim shumë të drejtë për Marrëveshjen shkatërruese të Brukselit me aneks të Ohrit, që nëse zbatohet siç ishte zotuar parqet fundin e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran dhe hyrje në një marrëdhënie kushtetuese federative apo konfederative me Serbinë. Në këtë Darkë të Fundit pak ka rëndësi a është biseduar apo jo për caktim të datës zgjedhjeve të parakohshme sa kë rëndësi se Albin Kurtit dhe LV, nga një përrua i ngushtë me llum ku ka hyrë me fajin e tyre iu krijua mundësia të dalin në një autostradë , sikur t’i kushin bërë punët më së miri në botë.

Albin Kurti këtë e kërkoi dhe me naivitetin foshnjor ia dhanë. Opozita aktuale, e përçarë dhe pa asnjë ndikim në asnjë rrethanë nuk duhet të pranojnë zgjedhjet e parakohshme pavarësisht nëse këtë e kërkon Kurti apo Murti. Opozita duhet fuqishëm të këmbëngulë që qeveria ta përfundojë mandatin e rregullt sepse pikërisht me këtë i rriten gjasat të ndahet më mirë. Albin Kurtit dhe LV i duhen zgjedhjet e parakohshme sikur që peshkut i duhet uji. Me zgjedhje të parakohshme LV fiton por Kurti nuk bëhet kryeminister. Me zgjedhje të parakohshme hipotetikisht mund të bëhet një koalicion midis LV dhe PDK dhe , nëse ndodhë kjo shëmti , në fakt do të certifikohej fillim i fundit të PDK, si forcë politike. A ishte ky vendim personal i Memli Krasniqit e unë mendoj se nuk ishte, nuk ka fare rëndësi për faktin se përligji barbarizmin e Kurtit dhe LV kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe pengjeve tjera të Hagës dhe Prishtinës përmes videove akuzuese dhe qëndrimeve publike, asnjëherë pozitive. Albin Kurti ishte në probleme të mëdha , thuaja të pazgjidhshme prandaj kërkonte shpëtim nga opozita kosovare të cilën pa asnjë konsideratë brutalisht e ka dhunuar që nga fillimi i mandatit qeverisës. Albin Kurti nuk e meriton përkrahjen e opozitës për zgjedhje të parakohshme por e meriton përkrahjen e opozitës për ta përfunduar mandatin e rregullt qeverisës.

E ka kërkuar këtë mandat , ndihmoni ta përfundojë, pa u ngatërruar në asnjë përgjegjësi që nuk iu takon fare si opozitë. Kosova me asgjë nuk mund të dëmtohet me shumë se që është dëmtuar me Marrëveshjen e Brukselit dhe bishtin e Ohrit. Deri dje Memlin këta cyberzagarët e LV dhe vet Albini e bënin për pesë pare, sot, pas darkës po e quajnë konstruktiv, e pabesueshme edhe për personat me inteligjencë të Dilmalit dhe Hallilit. Për veten time e kam të qartë pse ndodhi ky takim por ua rikujtojë arkitekëve se nuk do iu dalin llogaritë ashtu si i kanë bërë projektet, Albini do i lë në baltë të gjallë që të mbyten me shumë vuajtje dhe mundime . Nëse projektuesit dhe zbatuesit e këtij allishverishi nuk mbledhin mend, jo që nuk do ta mundin Albinin dhe LV por vetëm do ta rrisin LDK  dhe AAK që do ta fitojnë luftën, pa shkrepur asnjë plumb. Albini e pati rastin që me një përqindje mbi 50 për qind të votave, pa u penguar fare nga opozita dhe me një presidente që kashagitë kuaj dhe pela në Amerikë , të bëjë punë të mëdha për Kosovën , Shqipërinë, trojet shqiptare dhe Kombin. Nuk e bëri sepse nuk deshi të jetë shërbyes i këtij misioni por sundues fuqiplotë.

Këtu vdesë premtimi i tij dhe mundësia të bëhet si Hasan Prishtina . Ndjenja e madhështisë dhe egoja e personalitetit kanë rrënuar personalitete të fuqishme botërire për ta kursyer një të pafuqishëm jashtë zyrës së Kryeministrit dhe të LV siç është Albin Kurti. Me Çetën e Profetëve Rrogëtarë në Luginë që udhëhiqen nga rreshterët politikë si Shaip Kamberi dhe Arben Travari vdes edhe angazhimi i sinqertë për çështje kombëtare.

Për fund: Japonezët e respektojnë deri në fanatizëm Kultin e Paraardhësve duke u lutur për ta në shenjë falënderimi çdo mëngjes ndërkaq ne e bëjmë të kundërtën , i shkelim dhe harrojmë vlerat njerëzore dhe kombëtare për ndryshkun moral me prejardhje dhe bindje jugosllave dhe serbe që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për luftën për liri por me të gjitha mjetet luftojnë sot kundër vlerave njerëzore dhe kombëtare. Të tillë sot më së shumti ka në LV, pa asnjë dyshim . Opozita duhet të shkojë e bashkuar në takim me Kurtin jo për të përkrahur zgjedhjet e parakohshme por për t’i refuzuar ato. Zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje për opozitën por janë zgjidhje për Albin Kurtin dhe LV prandaj po e bëjnë këtë zgjedhje.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një sherr mes dy të miturve ka ndodhur në një…