Rriten ankesat e qytetarëve ndaj zyrtarëve policorë

19 dhjetor 2024 | 11:30

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka pranuar rreth 21 për qind më shumë ankesa nga qytetarët për zyrtarët policorë, krahasuar me vitin e kaluar. Sipas këtij institucioni, ankesat vinë kryesisht si rezultat i “keqkomunikimit në mes të zyrtarëve policorë dhe qytetarëve e që në disa raste përfundon me përdorim të forcës”.

Nga këto raste, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e rreth 85 zyrtarëve policorë.

Gjatë këtij viti, IKP-ja ka pranuar rreth 1.900 ankesa për punën e policëve, ka thënë për “Kosovapress”, kryeshefi i këtij institucioni, Kushtrim Hodaj.

“Deri më tani, prej janarit, kemi pranuar rreth 1.900 ankesa dhe jemi në trendin që ndoshta deri në fund të vitit do të kalojë numrin 2 mijë të ankesave të qytetarëve ndaj Policisë për çështje dhe aspekte të ndryshme që ata mendojnë që të drejtat e tyre janë shkelur apo cenuar nga zyrtarët policor”, ka thënë Hodaj.

Gjatë vitit 2024, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e 85 zyrtarëve policorë, ndërkaq 21 të tjerë janë arrestuar.

Hodaj ka thënë se gjatë kësaj periudhe, kanë ngritur edhe 83 kallëzime penale.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar listën e 110…