Rriten astetet e sektorit pensional të Kosovës

28 maj 2018 | 14:15

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se sektori pensional vazhdon të jetë sektori i dytë për nga pjesëmarrja në asetet e sistemit financiar me 27.9 për qind të aseteve. Sipas raportit të BQK-së, për vlerësimin e tremujorit të katërt (TM3) të vitit 2017 ecuria pozitive e kontributeve të reja dhe kthimit bruto në investimet e aseteve nga ana e fondeve ndikuan që ky sektor të rritet gradualisht ndër vite. “Sektori pensional vazhdon të jetë sektori i dytë për nga pjesëmarrja në asetet e sistemit financiar me 27.9 për qind të aseteve. Asetet e menaxhuara nga ky sektor vazhduan të rriten edhe gjatë TM4 2017. Asetet e fondeve pensionale janë për 30.1 milionë euro më të larta kundrejt TM4 2016”, është thënë në raportin e BQK-së.

Sipas këtij raporti, investimet e mjeteve jashtë vendit janë kontribuuesit kryesorë të kësaj rritje. “Kjo rritje u ndikua nga investimi më i madh i aseteve jashtë vendit, komponentë që përbën pjesën më të madhe të aseteve të fondeve. Më saktësisht, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), si përfaqësuese e rreth 99.5 për qind të gjithsej aseteve të fondit pensional, shënoi rritje të investimeve në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës në nivelin prej 20.8 përqindësh, ndërsa investimi në fondet e përbashkëta investive jashtë vendit regjistri rritje prej 13.4 përqindësh”, theksohet në raportin e BQK-së.

Po sipas këtij raporti, fondet pensionale që operojnë në Kosovë kanë strategji të ndryshme të investimit të aseteve të tyre. “FKPK-ja ndjek një strategji të kujdesshme të investimit, duke siguruar diversifikim të rrezikut në fonde të përbashkëta investuese që menaxhohen nga ndërmarrjet për menaxhim të mjeteve. Në anën tjetër, Fondi Slloven-Kosovar i Pensioneve (FSKP) investon asetet kryesisht në aksione jashtë vendit, pasuar nga asetet e investuara në obligacione si në Kosovë dhe jashtë vendit”, është thënë në këtë raport, duke shtuar se zgjerimi i aseteve u ndihmua nga arkëtimet e reja të cilat gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017 u shtuan për 4 milionë euro krahas tremujorit të njëjtë të vitit paraprak dhe arritën në 42.2 milionë euro. “Nga këto kontribute të arkëtuara, rreth 99 për qind i takojnë FKPK-së dhe pjesa e mbetur FSKP-së. Rritja e arkëtimeve u ndikua kryesisht nga numri më i madh i kontribuuesve të rinj në këtë tremujor në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak. Gjithashtu, vlera e arkëtimeve të reja mund të jetë ndikuar deri në një masë edhe nga rritja e të ardhurave të të punësuarve në sektorin publik, si sektor dominues në tregun e punës”, është thënë në raportin e BQK-së për vlerësimin e tremujorit të katërt të vitit 2017, raporton “Epoka e re”.

Sipas këtij raporti, në këtë tremujor FKPK-ja ka arritur të realizojë një kthim nga investimet e ndërmarra prej 36.1 milionë eurosh, që është përmirësim i dukshëm me kthimin bruto prej 8.8 milionë të tremujorit të katërt në vitin paraprak.

Përderisa FSKP-ja pati një ngadalësim të kthimit bruto nga investimet, duke zbritur në 179.2 mijë euro nga 257.7 mijë euro në TM4 2016. “Tregjet financiare në ShBA u karakterizuan me luhatje pozitive si rezultat i lehtësirave fiskale dhe rritjes së BPV-së përtej parashikimeve. Tregu i obligacioneve qeveritare në Eurozonë gjatë tremujorit të katërt u karakterizua me rënie të normave të interesit. Ky zhvillim u ndikua nga vendimi i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) për ta vazhduar programin e lehtësimit sasior edhe gjatë vitit 2018, por në vlerë të reduktuar, përkundër që Eurozona përjetoi rritjen më të shpejtë ekonomike në dekadën e fundit. Megjithatë, zhvillimet pozitive në ShBA dhe strategjia investuese ndikuan në performancë të mirë të sektorit pensional, duke siguruar rritje të vlerës së kthimit në investime”, është theksuar në raportin e BQK-së.

A.MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka kërkuar nga ish-ekonomisti i…