Rriten çmimet e artikujve ushqimorë e ulen pagat në pandemi
Përkundër uljes së pagave në pandemi dhe krizës ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi, çmimet e produkteve ushqimore vazhdojnë të rriten në Kosovë.
Çmimet e konsumit u rritën në vlerën prej 2.6 përqind krahasuar me vitin e kaluar. Përderisa, shtrenjtim i theksuar vërehet tek vaji ushqimor me një ngritje diku 20.5 përqind, pastaj derivatet me 19.9 përqind dhe produktet farmaceutike 1.9 përqind.
Ky shtrenjtim është i papërballueshëm për qytetarët konsumatorë, të cilët kërkojnë ulje të çmimeve.
Ndaj çmimeve të larta të cilat po rriten për çdo ditë, ka reaguar edhe kryetari i Shoqatës për të drejtat e konsumatorëve “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, i cili ka thënë se asnjë ngritje e çmimeve pa marrë parasysh çfarë arsyetimi ka, nuk është e pranueshme për qytetarin, aq më pak nëse kihet parasysh situatën me pandeminë. “Në këto rrethana asnjë ngritje çmimi as për 0.1 përqind nuk mirëpritet dhe nuk arsyetohet. Prandaj, qeveria urgjentisht dhe me seriozitet maksimal duhet të reagojë… Ne si organizatë kemi bërë krahasim të rrogave në Kosovë me ato të Bashkimit Evropian, derisa atje janë dhjetë herë rrogat më të larta, ne këtu në Kosovë e paguajmë të njëjtin artikull me çmimin e njëjtë ndoshta edhe më shtrenjtë”, ka thënë ai.
Ndërsa, Ibish Asllani, shef i divizionit të statistikave të çmimeve në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ka thënë se në muajin prill ka pasur ngritje të çmimeve për 0.3 përqind, krahasuar me muajin mars të vitit 2021.
Sipas tij, më së shumti u rriten çmimet e vajit ushqimor, kafes, derivatet dhe produktet farmaceutike. “Sipas të dhënave që janë nxjerrë për muajin prill për çmimet e konsumit për ka dalë një ngritje e çmimeve për 0.3 përqind krahasuar me muajin mars të vitit 2021. Ndërsa në periudhën një vjeçare muaj prill i vitit 2021 me prillin e vitit 2020 ka pasur një ngritje të çmimeve diku për 1.9 përqomd. Pra, norma e inflacionit ka qenë diku 1.9 përqind… Në këtë ngritje të çmimeve prej 1.9 përqind kanë ndikuar ngritja e çmimeve tek buka dhe drithërat për 2.3 përqind, vajrat dhe yndyrat ushqimore kanë pasur një ngritje diku 20.5 përqind, pastaj pijet alkoolike kanë pasur një ngritje 2.8 përqind, duhani ka pasur një ngritje 4.5 përqind, gazi ka pasur një ngritje 4.6 përqind… produktet farmaceutike për 1.9 përqind, karburantet kanë pasur një ngritje prej 19.9 përind. Shërbimet për transport kanë pasur një ngritje 2.9 përqind ngritja e çmimeve të biletave të transportit”, ka thënë Asllani.
Ai më tej ka shtuar se bazuar në statistikat e ASK-së, nga të ardhurat që ka një ekonomi familjare, 46 përqind e tyre shpenzohen vetëm për konsum.
Kjo normë e lartë e shpenzimeve për këtë grup të ushqimit, Asllani thotë se dobëson standardin e jetesës të ekonomive familjare në Kosovë.
Shefi i divizionit të statistikave të çmimeve, Asllani ka thënë ndër të tjera se në vitin 2020, kur u paraqit pandemia, pagat mesatare në Kosovë, sidomos në sektorin privat, shënuan rënie. “Në bazë të të dhënave që Agjencia e Statistikave të Kosovës ka dalë me publikim, niveli i pagave në Kosovë në vitin 2020, del se paga neto në vitin 2020 ishte 416 euro, krahasuar me vitin 2019, e cila ishte 430 euro, pra del një rënie prej 14 euro”, është shprehur ai.
Autoriteti i Konkurrencës në Kosovë, në bazë të një raporti përfundimtar të monitorimit të çmimit të vajit, bën të ditur se nga monitorimi që kanë kryer në terren, si dhe nga mbledhja e të dhënave nga institucionet shtetërore, kanë ardhur në përfundim që nuk ka elemente të ndonjë marrëveshjeje të ndaluar apo praktikë të bashkërenduar ndërmjet importueseve të vajit në Kosovë./KP