Rriten çmimet e ndërtimit të ndërtesave shumëkatëshe
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar indeksin e kostos së ndërtimit në Kosovë për tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas ASK-së, në indeksin e publikuar për vitin 2021 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kostoja e ndërtimit në Kosovë për tremujorin e parë të këtij viti ka shënuar rritje.
Indeksi i tërësishëm i Kostos të Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rritje për 3.7 për qind në tremujorin e parë TM1 2021 krahasuar me TM4 2020.
Rritje më të madhe kishte materialet (4.7 për qind), energjia (3.0 për qind), kostot e tjera, (2.1 për qind), makineritë (1.3 për qind) dhe pagat (1.2 për qind).
Sipas ASK-së, ngritja e indeksit kryesisht u vërejt te kategoritë: materialet (7.9 për qind); energjia (5.5 për qind); makineritë (2.7 për qind); dhe kostot e tjera (0.6 për qind).
Ngritja e çmimeve u neutralizua, kryesisht me uljen e çmimeve te: transporti (-10.3 për qind) dhe pagat (-0.2 për qind).
Ndërkaq, krahasuar TM1 2021 me të njëjtën periudhë të vitit paraprak TM1 2020, Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 5.3 për qind. Indeksi i Kostos të Ndërtimit mat zhvillimin e çmimeve të faktorëve të prodhimit të lëndëve të para, të pagave, makinerive, transportit, energjisë dhe kostot e tjera që përdoren në projektet e ndërtimit.
Indeksi mat ndryshimin e çmimeve për faktorët individualë të prodhimit dhe i peshon këto në përputhje me një sistem të caktuar të peshimit. Indeksi nuk mat ndryshimet e produktivitetit të tilla si përdorimi më i mirë i materialeve, apo faktorët e tjerë, e as nuk pasqyron marzhat e fitimit.