Rriten çmimet e perimeve në Prishtinë, ankohen qytetarët

10 shtator 2023 | 14:31

Në Tregun Gjelbër në kryeqytetin e Kosovës, çmimet e prodhimeve bujqësore vendore janë ngritur dukshëm këto ditë.

Konsumatorët janë ankuar se këto çmime të larta janë të papërballueshme për shumë qytetarë. Në anën tjetër, tregtarët janë shprehur se rritja e çmimeve ka ndikuar shkaku i mungesës së perimeve në këtë vit dhe kërkesës nga blerësit.

Sherife Vrella, pensioniste e cila kishte dalë në treg për furnizim me perime, ka thënë se çmimet e tyre nuk janë të përballueshme.

Vrella  ka thënë se çmimet janë të larta dhe sipas saj me pensionin që e merr në muaj e ka të vështirë për të mbijetuar.

“Nuk është e mirë për askënd, për konsumatorin, për blerësin nuk është e mirë. Nuk kemi çka të bëjmë. Me këto mjete me këto pensione duhet 0mbijetuar se ne shqiptarët në rend të parë i kemi specat dhe perimet”, ka thënë Vrella.

Për ngritjen e çmimeve të perimeve, konsumatori Ekrem Ismajli ka fajësuar institucionet e shtetit. Sipas tij, shteti është duke ua mundësuar tregtarëve t’i ngritin çmimet si të duan.

Ky blerës nga Prishtina, ka thënë po ashtu se mungesa e importit të perimeve i jep mundësinë edhe bujqve të ngritin çmimet.

“Janë duke u ngrite çmimet, prodhuesit vendor nuk po punojnë, ndihmë nga shteti nuk kanë, nuk është vendim i mirë, qysh me qenë vendim i mirë, shteti po punon shumë pak për bujqit. Duhet me punua më shumë. Të ardhurat e vogla, tregtarët po e shfrytëzojnë rastin, kur nuk ka import tregtarët po ngritin çmimet, kështu edhe këta i kanë fajet pak, edhe shteti, krejt kapak”, ka thënë Ismajli.

Ndërsa shitësi i perimeve, Beqir Avdiu, ka thënë se kërkesa nga konsumatorët për të blerë perime është shumë e madhe, derisa ka shtuar se kanë shumë ankesa për çmimin e tyre.

“Ka kushtuar deri 1 euro kilogrami i specit, kurse sivjet është 1.30 euro, por jo shumë. Ne po që furnizohemi nga vendi krejt janë prodhime vendore, te myshteriu është një dëm po mirë veç po gjejnë, nuk është keq. Janë shtrenjtuar specat është bërë si mish speci, andej këndej, kësi fjalë këto janë llafe të internetit. Në shtator kemi shumë punë., mirë se jemi tregtarë të vjetër që punojmë me turshi edhe shesim mjaftë. Ka interesim shumë, myshterinjtë janë të kënaqur, çdo mëngjes sjellim mall të freskët”, ka thënë Avdiu.

Kurse fermeri Enver Konjuhi që ka dalë në treg për t’i shitur prodhimet e tij bujqësore, ka thënë se çmimi vendoset në bazë të konsumatorëve, derisa ka theksuar se subvencionet po i ndihmojnë shumë.

“Ka pas vërshime të shiut, tokat nuk kanë mundur të punohen. Tokat kanë mbetur të thata. E vërtet që ka pas më pak perime. Jo çmimi nuk është ngritur, varet prej konsumatori që vjen sa kanë të holla. Po punojmë me subvencione, komuna që po i bën ose Ministria e Bujqësisë, po kanë leverdi. Mos me qenë këto (suvencionet) njerëzit nuk kanë llogari as me punuar, nuk kanë mjete dhe të holla. Për bujqit është mundim, por duhet kapak telashe, duhet shumë punë”, ka thënë tregtari Konjuhi.

Shitësi Avdiu ka thënë se prodhuesit e perimeve kanë mungesë të këtyre produkteve nga të mbjellat e fundit dhe për këtë arsyeje çmimi i perimeve është ngritur.

“Ka sasi, por jo edhe aq shumë. Ka qenë shkaktare pak klima, këtë pranverë ka pas reshje të mëdha, dhe për arsye bujqit është dashur t’i mbjellin perimet dy-tre herë për me arrit me i plasuar në treg, në kohën e turshive. Kështu ka pas vështirësi, ata nuk kanë pasur prodhime dhe për këtë edhe çmimi është më i lartë. Ka prodhues që ia ka dëmtuar shiu krejt të mbjellat dhe nëse i ka pasur tre hektarë, tash nuk i ka as gjysmën e tyre”, ka thënë Avdiu.

Edhe në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuar dy ditë më për është thënë se çmimi i perimeve është ngritur 28 për qind, si dhe i atyre për pemë me 11.4 për qind. /Kosovapress

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Berat Luzha Krahina e Plavë – Gucisë është një…