Rriten çmimet e ushqimeve në gjithë botën, niveli më i lartë që prej vitit 2011
Barometri botëror i çmimeve të ushqimeve u ngjit në një kulm të ri, duke arritur nivelin më të lartë që nga korriku 2011, njoftoi sot Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).
Indeksi i Çmimeve të Ushqimit të FAO, i cili gjurmon ndryshimet mujore të çmimeve ndërkombëtare të mallrave ushqimore, rezultoi mesatarisht 133.2 pikë në tetor, 3 për qind ose 3.9 pikë më lart nga shtatori, duke u rritur për të tretin muaj radhazi.
Indeksi i çmimeve të drithërave të FAO-s në tetor u rrit me 3.2 për qind nga muaji i kaluar, me çmimet botërore të grurit që u rritën me 5 për qind mes shtrëngimit të rezervave globale për shkak të reduktimit të të korrave nga eksportuesit kryesorë, duke përfshirë Kanadanë, Federatën Ruse dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu, çmimet ndërkombëtare të të gjitha drithërave të tjera kryesore shënuan rritje nga muaji në muaj.
Indeksi i çmimeve të vajit bimor të FAO-s u rrit me 9.6 për qind në tetor, duke arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Rritja u ndikua nga kuotimet më të forta të çmimeve për vajrat e palmës, sojës, lulediellit.
Çmimet e vajit të palmës u rritën për të katërtin muaj radhazi në tetor, kryesisht të mbështetura nga prodhimi i ulët në Malajzi për shkak të emigrimit të vazhdueshëm të fuqisë punëtore.
Indeksi i Çmimeve të Sheqerit të FAO-s ra me 1.8 për qind nga shtatori, duke shënuar rënien e parë pas gjashtë rritjeve mujore radhazi.
Rënia ishte kryesisht rezultat i kërkesës së kufizuar globale për importe dhe perspektivave të furnizimeve të mëdha të eksporteve nga India dhe Tajlanda, si dhe nga një dobësim i monedhës braziliane Real ndaj Dollarit Amerikan.