Rriten kursimet e qytetarëve të Kosovës
Depozitat e qytetarëve të Kosovës në sistemin bankar të vendit kanë shënuar rritje për 11.9 milionë euro në tremujorin e dytë të këtij viti, sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kurse në baza tremujore depozitat shënuan vlerën prej 3.09 miliardë eurosh.
Dinamikat që karakterizuan depozitat e sektorit bankar në TM2 2018 kryesisht u atribuohen zhvillimeve në kuadër të depozitave si për ndërmarrjet, po ashtu edhe për ekonomitë familjare.
Sipas BQK-së, depozitat e ndërmarrjeve u rritën për 9.7 milionë euro kundrejt tremujorit paraprak dhe arritën vlerën prej 698.7 milionë eurosh në fund të periudhës së cekur.
“Në anën tjetër, depozitat për ekonomitë familjare u rritën për 8.8 milionë euro kundrejt tremujorit paraprak dhe arritën vlerën prej 2.23 miliardë eurosh në fund të periudhës. Rritja e depozitave të ekonomive familjare në këtë tremujor mund t’i atribuohet deri në një masë rritjes së të hyrave në ekonomi gjatë këtij tremujori si rrjedhojë e rritjes së pagës neto mesatare dhe rritjes së remitencave gjatë këtij tremujori. Rritja e lehtë e normave të interesit në depozita mund të ketë kontribuar po në këtë rritje. Në anën tjetër, rritja e normës së interesit në depozitat e ndërmarrjeve mund të ketë ndikuar deri në një masë në rritjen e depozitave të ndërmarrjeve gjatë këtij tremujori”, është thënë në raportin e BQK-së për vlerësimin e tremujorit të dytë.
Ndërkaq sipas kategorive të depozitave, depozitat e transferueshme u rritën për 10 milionë euro në TM2 2018 në baza tremujore dhe shënuan vlerën prej 1.84 miliard eurosh në fund të periudhës së cekur.
“Gjithashtu, depozitat e afatizuara shënuan rritje për 10.5 milionë euro në këtë tremujor dhe arritën vlerën prej 773.9 milionë eurosh në fund të periudhës. Në anën tjetër, depozitat e kursimit në baza tremujore u zvogëluan për 9.7 milionë euro dhe zbritën në vlerë prej 471.6 milionë eurosh në fund të periudhës së cekur”, thuhet në raportin e BQK-së.
Sipas këtij raporti, normat e interesit në depozitat e kursimit mund të ketë ndikuar në zvogëlimin e kësaj kategorie të depozitave.
“Në TM2 2018, normat e interesit në kredi kanë vazhduar trendin rënës, kurse ato në depozita kanë shënuar një rritje të lehtë vjetore. Dallimi në mes të normës të interesit në kredi dhe asaj në depozita u zvogëlua në 5.4 pikë përqindje (5.7 pikë përqindje në TM2 2017). Norma e interesit në kredi në TM2 2018 u zvogëlua në 6.7 për qind përderisa norma e interesit në depozita shënoi rritje të lehtë në 1.2 për qind. Norma e interesit në kreditë ndaj ndërmarrjeve zbriti në 6.3 për qind, nga 6.5 për qind sa ishte në TM2 2017. Të gjitha kategoritë e normave të interesit në kreditë ndaj ndërmarrjeve në TM2 2018 shënuan rënie vjetore. Rënia më e madhe (0.3 pikë përqindje) u shënua tek kreditë për qëllime joinvestuese, duke zbritur në 6.2 për qind”, është thënë tutje në raportin e BQK-së. Sipas BQK-së, në periudhën raportuese, normat e interesit në kreditë për qëllime investuese bartën normë të interesit prej 5.9 përqindësh.
“Kategoritë e tjera të normave të interesit, të aplikuara për ndërmarrjet siç janë ato me kushte favorizuese, gjithashtu shënuan rritje gjatë kësaj periudhe, megjithatë vazhdon të bartë normë mjaft të ulët të interesit (3.4 për qind në TM2 2018), duke marrë parasysh se janë të mbuluara me para të gatshme dhe asete të tjera likuide. Normat e interesit në kreditë ndaj të gjithë sektorëve ekonomikë vazhduan të shënojnë rënie, por me ritëm më të ngadalësuar krahasuar me vitin 2014 dhe 2015. Në TM2 2018, norma më e ulët e interesit në kredi shënoi sektori i industrisë dhe ai i shërbimeve, përderisa normën më të lartë të interesit e bartë sektori i bujqësisë”, thuhet në raport.
Ndërkaq sa iu përket normave të interesit në kreditë ndaj ekonomive familjare, ndoqën trendin e përgjithshëm të normave të interesit të aplikuara nga bankat.
“Normat e interesit të aplikuara për kreditë hipotekare vazhdojnë të jenë më të favorshme, duke qenë se kreditë e destinuara për këtë kategori të ekonomive familjare janë të siguruara me patundshmëri. Në TM2 2018 norma e interesit e aplikuar për kreditë hipotekare qëndroi në 5.9 për qind, një rritje prej 0.1 pikë përqindje krahasuar me TM2 2017. Përderisa normat e interesit të aplikuara për kreditë konsumuese janë dukshëm më të larta dhe qëndrojnë mesatarisht në 7.4 për qind, megjithëse janë karakterizuar me rënie vjetore prej 0.1 pikë përqindje”, është thënë në raportin e BQK-së.
(Albulena S. MAVRAJ)