Rriten për 7.6 për qind eksportet e Kosovës gjatë muajit gusht
Të dhënat e tregtisë së jashtme të Kosovës për muajin gusht tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 18.2 për qind, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 228.9 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 279.9 milionë eurosh në vitin e kaluar. Eksporti mbulon importin me 13 për qind.
Kështu thuhet në raportin “Tregtia e Jashtme, gusht 2020”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
“Eksporti i mallrave në muajin gusht 2020 kishte vlerën 34.3 milionë euro, ndërsa importi 263.3 milionë euro, që është një rritje prej 7.6 për qind për eksport dhe një rënie prej 15.6 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019”, thuhet në raport.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 21.4 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 16.5 për qind e përbëjnë artikuj e ndryshëm të prodhuar, 12.7 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 12.1 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11.7 për qind e përbëjnë produktet bimore, 6.6 për qind e përbëjnë produktet minerale dhe 4 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij.
“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, 12.5 për qind e ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12.3 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 11 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 10.1 për qind produktet minerale, 10 për qind mjetet e transportit, 8.6 për qind produktet e industrisë kimike dhe 7 për qind plastika, goma dhe artikuj prej tyre.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.3 milionë euro ose rreth 36.1 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 35.7 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Gjermania më 12.6 për qind, Holanda më 3.3 për qind dhe Britania e Madhe më 2.9 për qind”, është thënë në raportin e ASK-së.
Sipas këtij raporti, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 117.5 milionë euro ose 44.7 për qind e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 26.6 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania më 13.6 për qind, Italia më 5.6 për qind, Sllovenia më 3.2 për qind dhe Greqia më 3.1 për qind.
“Në muajin gusht 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-së arritën në 14.7 milionë euro ose 43 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6.7 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së janë Shqipëria më 18.9 për qind, Maqedonia e Veriut më 9.4 për qind, Serbia më 7.5 për qind dhe Mali i Zi më 5.2 për qind.
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin gusht 2020, arritën në 52.3 milionë euro ose 19.9 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.9 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Shqipëria dhe Serbia më nga 6 për qind dhe Maqedonia e Veriut më 5.8 për qind. Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 7.1 milionë euro ose 21 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmendet Zvicra më 9.6 për qind”, është thënë në raport.
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 93.3 milionë euro ose 35.5 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia më 13.2 për qind dhe Kina më 10.6 për qind.