Rriten rastet me Covid në Kosovë
Të dielën Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 2 849 testime, 100 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me virusin Covid-19. Gjatë 24 orëve të fundit nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.
Të dielën janë shëruar edhe tre qytetarë, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 105 660. Në total numri i rasteve aktive është 539.
Zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK) kanë bërë me dije se rreth 90 për qind të rasteve të infektimit me Covid në Kosovë janë të lidhura me variantin “Delta” të këtij virusi. Sipas tyre, ky variant, sikur edhe në shumë vende të botës, është dominues edhe në Kosovë. Përveç variantit “Delta”, rreth 7-8 për qind e rasteve të infektimit janë me variantin “Alfa”, derisa në këtë shtet nuk ka prani të varianteve “Beta” dhe “Gama”.
“Para tre-katër muajsh varianti ‘Alfa’ ose ai britanik ishte në 98 për qind të rasteve, tani është vetëm 7-8 për qind të izolanteve, ndërsa nuk gjen izolante të variantit të Afrikës së Jugut ose brazilian. Tani ka ndryshuar situata, duke qenë mbizotërues varianti ‘Delta’ në javët e fundit. 80 deri në 90 të izolanteve të koronavirusit janë të variantit ‘Delta’”, ka thënë Xhevat Jakupi nga Departamenti i Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, raporton “Epoka e re”.
Ndërkaq javën e kaluar në një konferencë për media, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka paralajmëruar për rritje të numrit të të infektuarve me Covid-19 si pasojë e përhapjes së variantit “Delta” të këtij virusi. Sipas tij, arma e vetme kundër pandemisë është vaksinimi. “Sot kur vendi ynë ka vaksina për secilin qytetar dhe kur qytetarët mund ta zgjedhin vaksinën, kur janë hequr kategoritë e vaksinimit, nuk ka arsye të vetme për të mos u vaksinuar”, ka thënë Vitia.
Vitia ka thënë se interesim më i madh për t’u vaksinuar vërehet në Prishtinë, derisa ka qytete të tjera që janë duke treguar më shumë hezitim. Sipas ministrit Vitia, Kosova aktualisht ka kapacitet për të vaksinuar 16 mijë deri në 20 mijë persona në ditë, mirëpo ky vend është ende larg cakut të imunizimit të 60 për qind të popullatës kundër Covid-19, sëmundjes që shkakton ky virus.
Ministri Vitia ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka punuar për ta shtrirë oksigjenimin qendror aty ku ka munguar në spitalet e Kosovës, si dhe janë bërë intervenime urgjente ku është parë se ka pasur nevojë gjatë valëve paraprake të pandemisë.
Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se varianti “Delta” i koronavirusit përhapet me aq lehtësi sa lia e dhenve, e njohur edhe si lija e ujit, dhe se mund të shkaktojë sëmurje të rëndë, ka raportuar e përditshmja amerikane “New York Times”, duke cituar një dokument të brendshëm të CDC-së. Megjithatë, të dhënat e CDC-së tregojnë se vaksinat janë shumë efektive për parandalim të sëmurjes serioze, shtrirjes në spital dhe vdekjeve, është thënë në raport, duke cituar ekspertët.
Muajin e kaluar një studim ka treguar se 99 për qind e vdekjeve me koronavirus janë regjistruar në mesin e të pavaksinuarve.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBAShK) përmes një komunikate për media ka thënë se është shqetësues fakti se deri tani një numër i vogël i punëtorëve arsimorë janë vaksinuar.
“SBAShK-u u drejtohet të gjithë anëtarëve që t’i heqin dilemat e hezitimeve eventuale dhe të vaksinohen me qëllim që të jenë të mbrojtur dhe të kontribuojnë në fillimin e mbarë të vitit shkollor në gjithë institucionet arsimore kudo në Kosovë”, thuhet në komunikatën e SBAShK-ut.
SBAShK-u kishte kërkuar nga ministri Arben Vitia që punëtorët arsimorë të kenë prioritet për vaksinim. “Ne kemi dëgjuar vazhdimisht kërkesat tuaja legjitime dhe kemi bërë gjithë të mundurën që t’i realizojmë ato. Jemi të sigurt se edhe ju do ta dëgjoni apelin tonë dhe do të shkoni në qendrat e vaksinimit”, është theksuar në komunikatën e SBAShK-ut.
(Faton Dërmaku)