Rritet bilanci i viktimave nga i ftohti në Europë
I ftohti siberian që ka mbërthyer Europën ka shkaktuar të paktën 59 viktima, 23 prej të cilëve vetëm në Poloni, ku termometri shënon -15 gradë gjatë natës.
Në këtë vend, shumica e viktimave janë persona të pastrehë. Vdekjet u janë faturuar kryesisht ndërthurjes së të ftohtit ekstrem me konsumimin e alkoolit nga të pastrehët, të cilët pinë me shpresën se do të ngrohen.
7 persona kanë humbur jetën në Sllovaki, 6 në Republikën Çeke, 5 në Lituani, 4 në Francë dhe 3 në Spanjë. Viktima u shënuan edhe në Itali, Rumani, Serbi, Slloveni dhe Britani.
Problemet në qarkullim janë të mëdha. Pjesa më e madhe e fluturimeve u pezulluan në Irlandë edhe përgjatë ditës së premte, ndërsa mijëra vetë kanë mbetur pa energji elektrike. Shkollat janë mbyllur dhe banorëve u është kërkuar të mos lëvizin me makina. U pezulluan gjithashtu disa shërbime hekurudhore të operuara nga Eurostar mes Londrës, Parisit dhe Brukselit. Aeroporti i Gjenevës në Zvicër u mbyll përkohësisht, ndërsa në pjesë të Italisë qendrore akulli detyroi mbylljen e rrugëve dhe hekurudhave.
Kushtet e motit kanë filluar të përmirësohen në disa pjesë të Europës dhe sipas meteorologëve, temperaturat pritet të rriten gjatë ditëve të ardhshme. Por, ky nuk do të jetë rasti i Britanisë së Madhe dhe Irlandës, që do të vazhdojnë të dridhen edhe pak nga ajo që e kanë quajtur “Bisha nga Lindja”.