Rritet buxheti për policinë, FSK-në e AKI-në

12 nëntor 2022 | 20:45

Tri institucionet kryesore të sigurisë në vend, Policia, Forca e Sigurisë e Agjencia e Kosovës për Inteligjencë do të kenë një rritje të buxhetit për vitin 2023. Megjithatë, Sindikatës së Policisë së Kosovës, rritja e planifikuar nuk po u duket e mjaftueshme.Mbi 115 milionë euro pritet t’i ketë buxhet për vitin 2023 Policia e Kosovës.

Kështu, institucioni i kryesor i sigurisë në vend, në rast se kalon projektbuxheti, do t’i ketë për t’i shpenzuar rreth katër milionë euro më shumë sesa vitin e kaluar.

Qeveria ka planifikuar rritje të buxhetit edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

FSK-ja pritet të ketë buxhet 116 milionë euro në vitin 2023, përderisa është planifikuar që menjëherë në vitin 2024 buxheti t’i rritet në 137 milionë euro.Projektligji për buxhetin 2023, tashmë ka shkuar në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, përkundër rritjes së financimit për Policinë, kryetari i sindikatës së këtij institucioni, Imer Zeqiri, nuk është i kënaqur.

“Jo që nuk është i mjaftueshëm, por buxheti për Policinë e Kosovës së paku, minimumi në çdo vit do të duhej të rritej 10 deri në 20 për qind, për shkak të nevojave dhe detyrave të cilat policia e kryen për shkak të operacioneve të ndryshme. Unë nuk e di ata që e kanë bërë buxhetin a e dijnë se çka duhet brenda Policisë së Kosovës dhe me çfarë duhet të pajisjet Policia e Kosovës që të jetë një institucion dhe të bëjë sigurinë e lartë në vend”, ka thënë Zeqiri.

Se qeveria do të duhej të ndante më shumë buxhet për institucionet e sigurisë së vendit, vlerëson edhe eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi.“Kur e kemi parasysh edhe situatën gjeopolitike, lufta në Ukrainë, kërcënimet e përditshme që i kanosen Kosovës, është dashur që të ketë një trajtim tjetër, sidomos tek AKI-ja dhe FSK-ja, pasi që shihet se nevoja për t’u pajisur me pajisje të reja dhe trajnime kërkon shpenzime të jashtëzakonshme”, ka theksuar Kajtazi.

Sipas projektligjit, buxheti i Kosovës për vitin 2023 pritet të jetë në vlerë prej 3 miliardë e 212 milionë euro./portald

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i VV-së, Visar Korenica është shkarkuar sot nga pozita…