Rritet çmimi i makiatove në disa qytete të Kosovës, AKK paralajmëron hetim
Disa nga lokalet e gastronomisë kanë vendosur që pas hapjes të ngrisin çmimet e kafes.
Për këtë çështje, ka dhënë vërejtje Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
Drejtori i AKK-së, Valon Prestreshi ka thënë se këto lokale me marrëveshje mes vete kanë rritur çmimet, duke paralajmëruar hetim nga AKK.
Kësisoj, ai i ka bërë thirrje Shoqatës së Gastronomëve që të distancohet nga kjo dukuri.
Postimi i plotë:
Gjithë ato ankesa, gjithë ato protesta, gjithë ai presion që u ushtrua nga sektori i gastronomisë, kundrejt masave të vendosura nga Qeveria për ta parandaluar infeksionin Covid 19, e që kishin të drejtë në disa raste, tani po të njëjtit gastronomë në disa qytete të Kosovës kanë vendosur që bashkërisht me marrëveshje t’i ngrisinë çmimet e kafeve dhe produkteve tjera.
Kjo formë e ngritjes së çmimit është e ndaluar, andaj para se të inicoj procedura hetimore Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, si titullar i këtij institucioni fillimisht i bëjë thirrje Shoqatës së Gastronomëve, që ata të distancohen nga këto sjellje të gastronomëve dhe të bëjnë thirrje për ndalim të këtyre veprimeve.
Në të kundërtën, derën e parë që do ta trokasim është dera e shoqatës së gastronomëve.