Rritet çmimi i naftës ruse, teksa BE-ja vendosi kufirin e ri 60 dollarë për fuçi
Çmimet e naftës janë rritur mes shqetësimeve se një kufi i ri i çmimit të naftës së papërpunuar ruse mund të prishë furnizimet globale në muajt e ardhshëm.
Një vendim i veçantë i vendeve të mëdha prodhuese të naftës për të vazhduar uljen e sasisë së prodhuar për të mbështetur çmimet ka nxitur gjithashtu rritjen, raporton “BBC”.
Çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit me pothuajse 2 për qind të hënën në 87.25 dollarë për fuçi. Por kjo është ende shumë nën nivelet më të larta të parë pasi Rusia pushtoi Ukrainën.
Çmimet më të larta të naftës priren të rrisin çmimet e benzinës dhe koston e jetesës, e cila në Mbretërinë e Bashkuar po rritet me ritmin e saj më të shpejtë në 41 vjet.
Të hënën, grupi G7 i ekonomive të mëdha zbatoi një kufi mbi çmimin e naftës ruse në 60 dollarë për fuçi për të “parandaluar Rusinë që të përfitonte nga lufta e saj e agresionit kundër Ukrainës”.
Ai do të ndalojë dërgimin e çdo nafte ruse të papërpunuar për më shumë se ai çmim duke përdorur cisternat e G7 dhe BE-së, kompanitë e sigurimeve dhe institucionet e kreditit. Shumë kompani të mëdha globale të transportit dhe sigurimit janë të bazuara në G7.
Megjithatë, Rusia e cila është prodhuesi i dytë më i madh në botë i naftës së papërpunuar – ka thënë se nuk do të pranojë kufirin e çmimit dhe kërcënoi të ndalojë eksportin e naftës në vendet që miratojnë masat.