Rritet çmimi i produkteve të konsumit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin mars të vitit 2019, viti bazë 2015=100.
Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.1% në muajin mars 2019.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0,1% në muajin mars 2019, krahasuar me muajin shkurt 2019. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (0.5%); pemë (2.2%); perime (3.2%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (2.1%)-(ngritja e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind në IHÇK”, ka njoftuar ASK-ja.
Sipas ASK-së, ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (-1.5%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (-1.4%); energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-1.7%) – (rënia e çmimit të drunjve të zjarrit për ngrohje) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3%) në IHÇK.
Ndërkaq, shkalla vjetore e inflacionit, e matur në muajin mars 2019, me muajin mars 2018 ishte 3.3%.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 3.3% në muajin mars 2019, krahasuar me muajin mars 2018. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (11.6%); mish (3.7%); qumësht, djathë dhe vezë (4.2%); perime (32.5%); pije alkoolike (1.7%); duhan (3.6%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (6.4%) – (ngritja e çmimit të naftës dhe benzinës), shërbime hoteliere (1.5%); gjëra personale (3.3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3.6 për qind në IHÇK”, bëri të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Po ashrtu, sipas ASK-së, ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-10.3%); energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-2.3%) – (rënia e çmimit të drunjve të zjarrit për ngrohje); shërbime për transport (-5.4%) – (rënia e çmimeve të biletave të transportit ajror), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3%) në IHÇK.
/Epoka e re/