Rritet eksporti i domateve shqiptare drejt tregjeve të BE-së
Prodhimet bujqësore “Made in Albania” po rrisin prezencën në tregjet e huaja. Mjaft e kërkuar jo vetëm në tregjet rajonale, por edhe ato evropiane, tregtarët e prodhimeve bujqësore kanë krijuar rrugë të qëndrueshme për eksportin e domateve.
Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Dhimo Kote, u shpreh për ATSH-në, se eksporti i perimeve shqiptare po ndjek trendin e rritjes së qëndrueshme ku dominon eksporti i domateve.
Domatet e prodhuara në Berat, Fier, Lushnjë dhe Divjakë kryesojnë eksportet bujqësore shqiptare në Serbi, Çeki, Kroaci, Austri, Kosova, Maqedoni dhe në Poloni, shkruan “atsh”.
Kemi shembuj shumë të mirë të fermerëve nga Berati dhe Lushnja që eksportojnë domate shumë cilësore në sasi të madhe jashtë vendit, thotë Kote. Sipas tij në serat e Berat janë kultivuar 1500 ha domate, por pritshmëritë janë për të arritur deri 3000 ha.
Ndërsa përveç domates eksportet made in Albania po dominohen edhe nga kulturat e kastravecit, specit, apo mandarinave. Për mandarinat sasia e eksportit arrin në 10 mijë ton dhe kërkojmë të arrijmë vlerën e 50 mijë tonëve, deklaroi Kote.
Eksporti i prodhimeve bujqësore u rrit 25% në vitin 2017
Politika shtetërore për të mbështetur me subvencione fermat dhe bizneset bujqësore eksportuese ka konfirmuar pritshmëritë e deritanishme.
Në nëntë muajt e parë të vitit 2017, sipas të dhënave të “INSTAT”, vërehet një rritje prej 25% e eksporteve bujqësore, nga 16 miliardë lekë të një viti më parë, në 20 miliardë lekë.
Një rritje e tillë konfirmon trendin pozitiv në të cilin kanë hyrë eksportet bujqësore që prej disa vitesh. Një vit më parë, eksportet bujqësore tejkaluan për herë të parë nivelin e 200 milionë eurove, një rritje kjo me 70% në vetëm tre vjet.
Sa i përket partnerëve tregtarë, Italia ndiqet nga Kosova, Greqia dhe Spanja, sa I përket eksporteve tona bujqësore.