Rritet frika se Putin do të sulmojë NATO-n, Gjermania vendos trupat e saj në vijën e zjarrit
Pushtimi rus i Ukrainës po e shtyn Gjermaninë të bëjë diçka të paprecedentë – të bazojë përgjithmonë mijëra trupa vetëm rreth 100 kilometra nga kufiri me Rusinë dhe pikërisht në vijën e zjarrit nëse Kremlini ndonjëherë fillon një sulm në territorin e NATO-s.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ishte në Vilnius të hënën për të nënshkruar një marrëveshje me homologun e tij lituanez, Arvydas Anušauskas, për të forcuar kushtet në të cilat 4 mijë e 800 trupa gjermane plus 200 civilë do të vendosen në vendin baltik.
“Me këtë brigadë të gatshme për luftë, ne po marrim një përgjegjësi udhëheqëse këtu në aleancë dhe në krahun lindor të NATO-s”, tha Pistorius.
Gjithashtu Pistorius tha se porosia për zëvendësimin e tankeve ka përfunduar — dhe pasi të ndërtohen, ato do të dërgohen direkt në Lituani.
Ministri gjerman paralajmëroi përshkallëzimin e kërcënimeve ruse deri në fund të dekadës, duke u kërkuar vendeve evropiane të forcojnë industritë e tyre të mbrojtjes dhe të përshtaten me ndryshimet gjeopolitike.
Ai theksoi nevojën urgjente që vendet e Bashkimit Evropian të forcojnë industritë e tyre të mbrojtjes në përgatitje për sfidat e mundshme, veçanërisht në dritën e mundësisë së angazhimit të reduktuar të SHBA-ve në kontinent. /Albanianpost