Rritet kufiri i vjetërsisë së automjeteve të importuara nga 10 në 15 vjet
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka bërë me dije se sot në Komisionin për Zhvillim Ekonomik është votuar amendamenti i cili parasheh që bashkë me bartjen e pronësisë së automjetit të bartet edhe regjistrimi i mbetur.
Po ashtu, ai ka treguar se është votuar edhe rritja e kufirit të vjetërsisë së automjeteve të importuara nga 10 në 15 vjet!
Nitaj është shprehur optimist se këto amendamente do ta marrin mbështetjen edhe në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës.
Kryetar i grupit punues për plotësim ndryshimin e Ligjit për Automjete, Muharrem Nitaj, ka vlerësuar se votimi i sotëm korrigjon disa padrejtësi që u janë bërë qytetarëve.
“Në Komisionit për Zhvillim Ekonomik, sot është votuar që bashkë me bartjen e pronësisë së automjetit të bartet edhe regjistrimi i mbetur. Është votuar për liberalizimin e tregut të kontrolleve teknike. Kjo nënkupton që qytetarët mund ta bëjnë kontrollin teknik të automjetit në gjithë territorin e Kosovës e jo veç në komunën e caktuar, siç ka qenë deri me tani. Po ashtu është hequr kufizimi për certifikimin e kontrolleve të reja teknike. Dhe së fundi është votuar që kufiri i vjetërsisë së automjeteve të importuara të rritet nga 10 në 15 vjet! Jam i bindur se këto amendamente do ta marrin mbështetjen edhe në seancë plenare. Si kryetar i grupit punues për plotësim ndryshimin e Ligjit për Automjete, e falënderoj deputetin Mërgim Lushtaku si dhe gjithë anëtarët e grupit për punën e bërë! Votimi i sotëm korrigjon disa padrejtësi që u janë bërë qytetarëve!”, ka shkruar Nitaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/