Rritet numri i aplikimeve për natyralizim prej izraelitëve me rrënjë gjermane
Është rritur numri i izraelitëve me prejardhje gjermane që janë duke aplikuar për natyralizim, ka thënë grupi medial RND të hënën, duke cituar Zyrën Federale të Administratës së Gjermanisë.
Sipas raportit, 6.869 aplikime janë pranuar në periudhën janar-prill të këtij viti, në krahasim me 9.129 më 2023 dhe 5.670 më 2022.
Prej gushtit të vitit 2021, të gjithë ata që janë persekutuar prej regjimit nazist, për shkak të besimeve të tyre politike, racore dhe fetare, si dhe pasardhësit e tyre, kanë të drejtë ligjore për t’u pajisur me pasaportë gjermane.
Pasardhësit e viktimave të nazistëve që kanë ikur prej Gjemanisë kanë, po ashtu, të drejtë që të marrin pasaportë gjermane, pa asnjë kusht.
Prej nisjes së sulmeve të grupit palestinez Hamas – të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – më 7 tetor të vitit të kaluar, në jug të Izraelit, është vërejtur rritje e interesimit për aplikime të tilla.
Në atë sulm, militantët e Hamasit kanë vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe kanë marrë peng 250 të tjerë.
Hamasi ende i mban peng rreth 100 persona.
Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, si pasojë e ofensivës izraelite, të nisur më pas, janë vrarë rreth 36.000 palestinezë.
Izraeli e fajëson Hamasin, me arsyetimin se po operon në zona të banueshme.
Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se më 2023 janë dorëzuar 14.000 kërkesa për natyralizim.
Pas Izraelit, kërkesat më të mëdha janë prej shtetasve amerikanë. /Rel