Rritet numri i azilkërkuesve nga Siria dhe Iraku në Kosovë
Të ikur nga lufta dhe zonat e konfliktit, një numër i madh i refugjatëve vijnë në Kosovë, për të vazhduar më pas transit drejt vendeve perëndimore.
Derisa në vitin 2015, kur në Kosovë brenda vitit kishin hyrë 88 persona nga vende të ndryshme, numri është rritur çdo vit.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, për periudhën janar-gusht të këtij viti, numri i emigrantëve të parregullt që kanë hyrë në Kosovë është 753 persona. Emigrantët kryesisht janë nga Siria, Iraku, Afganistani dhe territoret palestineze.
Javën e kaluar në territorin e Kosovës kanë hyrë 22 emigrantë të cilët tashmë janë vendosur në Qendrën për Azil në fshatin Magure të Lipjanit.
Udhëheqësi i kësaj qendre, Fitim Zariqi, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se nga fillimi i vitit e deri në muajin shtator, këtë strehimore e kanë frekuentuar gjithsej 902 emigrantë.
Sipas tij, vitet e fundit vërehet një rritje e numrit të emigrantëve të cilët vijnë në Kosovë.
“Ka ardhje pak më shumë se vitet e kaluara, megjithatë për ne ende është në suaza të menaxhimit normal. Prej që është hapur Qendra për Azil, nga viti 2010, vazhdimisht kanë frekuentuar azilkërkues ose persona që vijnë nga vatrat e luftës dhe konfliktit”, ka thënë Zariqi.
Zariqi ka thënë se emigrantët, që kryesisht ikin nga zonat e luftës, e përdorin Kosovën si vend transit për të depërtuar në vendet perëndimore.
“Shumica, kohët e fundit janë duke ardhur nga territori i Shqipërisë, vitet e kaluara kanë ardhur më shumë nga Maqedonia (e Veriut), por që nga viti i kaluar kanë filluar të vijnë nga Shqipëria, pra e shfrytëzojnë Kosovën si vend transit. Gjatë intervistave që i bëjmë ne, ata tregojnë që kanë lëvizur nga Greqia, në Shqipëri, pastaj kanë hyrë në Kosovë ilegalisht dhe pretendojnë që të kërkojnë azil, të qëndrojnë disa ditë këtu dhe pastaj të vazhdojnë tutje për në vendet perëndimore”¸ ka deklaruar Zariqi.
Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se më herët emigrantët prej Maqedonisë së Veriut kanë hyrë direkt në Serbi, por për shkak të forcimit të sigurisë në atë kufi, ata po vazhdojnë të hynë nga ana e Kosovës, pasi sipas tij, kalimi nga Kosova në Serbi, mund të jetë më i lehtë.
“Duke marrë parasysh numrin e madh të emigrantëve, sidomos sirianë që janë në Turqi edhe që e kanë si rrugë transitore për të kaluar brenda vendeve të Bashkimit Evropian apo kalimin që mundet të ndodhë përmes vendeve të Ballkanit, që pastaj të hyjnë ndoshta përmes Serbisë të hynë në Hungari dhe për të hyrë në vendet e Bashkimin Evropian, atëherë është pra kjo rruga më e lehtë që ata të kenë qasje për të shkuar në BE”, ka thënë Demhasaj.
Azilkërkues që kanë qëndruar për disa ditë në Kosovë, vitet e fundit më së shumti ka pasur nga vendet ku ka konflikte, e që janë Siria dhe Iraku.
Numri më i madh është i emigrantëve nga Siria. Vetëm vitin e kaluar rreth 200 sirianë kanë kërkuar azil në Kosovë.