Rritet numri i pacientëve me alergji ndaj polenit
Me ardhjen e stinës së pranverës është rritur numri i pacientëve që kërkojnë trajtim mjekësor për shkak të alergjisë nga poleni. Vështirësi në frymëmarrje, kollitje, temperaturë, teshtitje dhe skuqje e syve janë disa nga simptomat që e karakterizojnë këtë alergji. Derisa më të prekurit janë fëmijët, për shkak të rrugëve më të ngushta të frymëmarrjes.
Specialisti pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Rushit Ismajli në një intervistë për KosovaPress thotë se është shtuar numri i pacientëve me simptoma të alergjisë së shkaktuar nga poleni. Ai thotë se në këtë rast pacientët duhet të shmangin ekspozimin në vendet ku ka më shumë lule.Ismajli potencon se në rastet kur alergjia reagon më ashpër te pacientët, duke shkaktuar vështirësi më të mëdha në frymëmarrje, skuqje të syve dhe rrjedhje të hundëve, u rekomandohet përdorimi i inhalimit.
Ai thotë se fëmijët vuajnë pak më shumë në stinën e pranverës me paraqitjen e alergjisë ndaj polenit, për shkak se rrugët e frymëmarrjes janë më të ngushta. Përveç fëmijëve, ai përmend edhe moshën mesatare.Për KosovaPress, Ismajli potencon se trajtimi i pacientëve me probleme në frymëmarrje për shkak të alergjisë, bëhet me pompa e assesi me infuzione apo me antibiotikë. Ndërkaq, simptomat e zakonshme potencon se trajtohen me sprej dhe medikamente të tjera.
Ndër të tjera, specialisti i Mjekësisë Familjare në QKMF-në e Prishtinës vlerëson se alergjia nga poleni është më shumë e bezdisshme sesa e rrezikshme. Poleni është një nga shkaktarët më të zakonshëm të alergjive sezonale. Bimët lëshojnë kokrra të vogla poleni, që barten përmes erës për të fekonduar bimë të tjera të së njëjtës specie në çdo pranverë, verë dhe vjeshtë, madje edhe në dimër.
Sistemi imunitar i personave që kanë alergji ndaj polenit identifikon atë si një substancë të rrezikshme dhe fillon ta luftojë e që si pasojë e kësaj shfaqen sëmundjet alergjike.