Rritet numri i të infektuarve, Kina rivendos në karantinë 6 milion banorë
Një qytet i madh në Kinën verilindore ka vendosur masa emergjente për kontrollin e sëmundjeve për të përmbajtur përhapjen e koronavirusit.
Autoritetet në vend i druhen një vale të dytë koronavirusi.
Dalian, një qytet port që strehon 6 milion banorë, ka regjistruar tre raste vendase me koronavirus të mërkurën, ndërsa për dy muaj raportonte zero raste të reja.
Duke u nisur nga kjo situatë, autoritetet u kërkuan banorëve që të mos largoheshin nga qyteti nëse nuk kishin ndonjë emergjencë ndërsa përpiqeshin që të vendosnin në izolim qindra persona dhe të gjurmonin kontaktet e ngushta të të infektuarve.
Lajmi vjen në një kohë kur Kina vijon që të konfirmojë vatra lokale infeksioni ndërsa raste të reja po konfirmohen në Xinjiang dhe Hong Kong.
Kujtojmë këtu se rastet ditore me Covid-19 në Hong Kong ishin 118 të enjte, një shifër rekord kjo në një valë të re të infeksioneve që kanë goditur qytetin që nga fillimi i muajit.