Rritet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri, edhe 69 raste të reja
Numri i rasteve me Covid-19 në Shqipëri është rritur.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 319 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 69 persona.
Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar se shifra e lartë lidhet me uljen e kujdesit dhe moszbatimin e masave të rekomanduara dhe të përcaktuara nga autoritetet.
“Gjatë javës së fundit ka rezultuar rritje e numrit të rasteve të identifikuara pozitive, ka një rritje të të shtruarve në spital, por qëndrueshmëri sa i takon fataliteteve. Kjo rritje lidhet me uljen e vigjilencës dhe moszbatimin e rregullave të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore”, ka thënë Tomini.
Ajo ka shtuar se kjo periudhë nuk mund të krahasohet me periudhën e pikut nën efektin e masave të karantinës, për vetë faktin se ka kohë më të gjatë ekspozimi dhe numër më të lartë kontaktesh gjatë aktiviteteve rutinë të ditës, ku aktualisht 97 për qind e subjekteve janë në aktivitet.
(M.Q / Epoka e re)