Rritet numri i të infektuarve në Maqedoni, shkon në 18
Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë Veriore, Venko Filipçe, në komunikimin e radhës mbi gjendjen e koronavirusit, ka konfirmuar se gjashtë raste të reja kanë rezultuar pozitive, duke e çuar në 18 numrin e të prekurve. Prej 12 personave të testuar dje, 6 prej tyre kanë rezultuar pozitivë, raporton “Alsat”. Ai ka thënë se një person ka mbërritur mbrëmë në Aeroportin e Shkupit nga Barcelona me temperaturë të lartë dhe është vetëparaqitur pranë autoriteteve mjekësore që ndodhen në aeroport, ndërsa 51 pasagjerët e tjerë që ndesheshin në të njëjtin avion me të prekurin janë vetizoluar në shtëpitë e tyre. Po ashtu, katër persona janë transportuar gjatë ditës së djeshme nga spitali i Dibrës drejt Shkupit duke e çuar në 13 numrin e të shtruarve në Klinikën Infektive të Shkupit, ndërsa 5 pacientë të tjerë ndodhen të shtruar në spitalin e Dibrës dhe janë në gjendje shëndetësore më të qëndrueshme.