Rritet numri i të prekurve me kancer në mushkëri si pasojë e duhanpirjes
Duhani konsiderohet si një prej shkaktarëve kryesorë të kancerit të mushkërive, por edhe sëmundjeve tjera.
Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi që nga viti 2013, qytetarët, por edhe institucionet publike, vazhdojnë ta shkelin këtë ligj, duke tymosur brenda ambienteve të mbyllura, e duke mos i dhënë kështu prioritet mbrojtjes së shëndetit publik.
Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Musa Hoxha, tha se duhani po ndikon në paraqitjen e shtuar të sëmundjes së kancerit. Ai shtoi se të rrezikuar janë edhe ata persona që qëndrojnë në ambient të përbashkët me duhanpirës.
“Shkaktari kryesor i kancerit të mushkërive është duhani. Nga të gjitha rastet me kancer të mushkërive, p.sh. nga 10 pacientë, nëntë prej tyre janë duhanpirës një jo duhanpirës. Personat më të rrezikuar janë duhanpirësit e moshës se tretë, e sidomos meshkujt. Duhet shmangur, e veçanërisht të ndalohet pirja në objekte kolektive”, thotë Hoxha për arbresh.info
Sa po zbatohet ligji për kontrollin e duhanit?
Drejtori i Inspektoratit Sanitar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Ibrahim Tërshnjaku, thotë se mos pirja e duhanit nuk po respektohet, e sipas tij kjo po ndodh më së shumti në kafe bare.
“Problemi më i madh që e rrit mos zbatueshmerin është në kafe bare edhe atë në orët e vona kur nuk po e zbatojnë në nivelin e duhur. Pritshmërit e ligjit për kontrollin e duhanit gjithmonë kanë qenë më të mëdha në kuptimin e ruajtjes së shëndetit publik, duke e rritë masën e edukimit shëndetësor në nivel vendi, pastaj ngritjen e vetëdijes, një ligj shumë specifik për kontrollin e duhanit i cili është me standarde në nivelin më të lartë në vende tjera”, tha Tërshnjaku për arbresh.info
Tutje, Tërshnjaku thotë se kanë probleme me shqiptimin e gjobave, gjë që nuk mund ta bëjnë pa prezencën e policisë.
“Pra është problematike se nuk mund të i kërkojnë letërnjoftimin dhe ai thotë se kam me vete dhe pa prezencën e policisë është e vështirë të identifikosh personin fizik. Ne kemi probleme me persona fizik që janë me dozë të arrogancës shumë të lartë. Në vitin e kaluar kemi pasur 110 masa të shqiptuara të gjobave për ato subjekte të cilat kanë qenë shkelës recidiv”, deklaroi Tërshnjaku.
Në vitin 2022 Kosova importoj 4198 ton cigare në vlerë 105 milionë euro
Zëdhënësi i doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci tha se gjatë vitit 2022 ka pasur rritje të importit të cigareve, për dallim nga viti 2021.
Ai thotë se vendet nga ku ka importuar Kosova më së shumti cigare janë, Gjermania, Kroacia, Turqia, Polonia, Zvicra dhe Greqia.
“Në vitin 2022 kemi pasur import të cigareve në lartësi prej 4198 ton me vlerë prej 105 milion euro dhe taksa të paguara rreth 281 milion. Në vitin 2021 kemi pasur rreth 3678 ton import te cigareve me vlerë rreth 87 milion euro dhe total të taksave të paguara rreth 236 milion euro. Vendet nga ku janë importuar cigaret janë Gjermania, Kroacia, Turqia, Polonia, Zvicrra ,Greqia”, tha Stavilevci.
Ndryshe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), kanceri i mushkërive mbetet varianti më i zakonshëm i sëmundjes për dy dekadat e fundit. /arbresh.info/