Rritet numri i të vdekurve në resorin e skive në Turqi, shpallet ditë zie

22 janar 2025 | 08:01

Bilanci i viktimave nga zjarri që shpërtheu në një vendpushim skish në veriperëndim të Turqisë është rritur, duke shkuar në 76 persona të pajetë dhe 51 të tjerë të lënduar.

Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya tha se zjarri shpërtheu në restorantin e hotelit në vendpushimin e Kartalkaya në provincën Bolu, teksa njoftoi se e mërkura është shpallur ditë zie.

“Tragjikisht, numri i përgjithshëm i të vdekurve pas incidentit është rritur në 76. Dhimbja jonë është e madhe”, tha Yerlikaya nga resorti Kartalkaya.

Sipas guvernatorit të Bolu, flakët u shfaqën fillimisht në katin e katërt të hotelit 11-katësh rreth orës 3:30 të mëngjesit.

Imazhet televizive treguan çatinë dhe katet e fundit të hotelit në flakë, me njerëzit që përpiqeshin të zbrisnin nga dhomat e tyre duke përdorur çarçafë për t’i shpëtuar zjarrit.

Autoritetet turke arrestuan të martën katër të dyshuar, përfshirë pronarin e hotelit. “Si pjesë e një hetimi të udhëhequr nga gjashtë prokurorë, katër persona përfshirë pronarin e hotelit u arrestuan”, tha ministri i Drejtësisë Yilmaz Tunc në X.

Resorti që u përfshi nga flakët ndodhet në majë të një vargu malor rreth 170 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Ankara. Një pjesë e hotelit mbështetet në një shkëmb, gjë që e bëri më të vështirë për zjarrfikësit të shuajnë flakët.

Në kohën e shpërthimit të flakëve, 237 persona ishin duke qëndruar në hotel, sipas raporteve lokale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të martën në Davos se…