Rritet numri i të vdekurve nga shpërthimi i pejxherëve në Liban
Ministri i Shëndetësisë i Libanit, Firass Abiad, ka thënë se numri i të vdekurve nga shpërthimi i pejxherëve ka shkuar në 12.
Sipas tij, në mesin e viktimave ishin një vajzë 8 vjeçe dhe një djalë 11 vjeç, raporton televizioni BBC.
Duke folur në një konferencë për gazetarë, ministri libanez tha se edhe punëtorë shëndetësorë kishte në mesin e të vdekurve nga shpërthimet e pejxherëve, që ndodhën në pjesë të ndryshme të vendit të martën. Më tej, Abiadi tha se 2.750 njerëz mbeten në spital dhe se disa prej tyre janë dërguar në Iran dhe Siri për trajtim, por 98 për qind e të plagosurve do të trajtohen brenda vendit.
Abiadi shtoi se 750 persona u lënduan në jug të Libanit, ndërsa rreth 1.750 në zonën e Bejrutit. Rreth 10 për qind e të lënduarve ishin në gjendje kritike, disa prej tyre në kujdes intensive. Shumë prej tyre kanë lëndime në fytyrë dhe është dashur të vihen në ventilatorë.