Rritet numri i viktimave nga shembja e urës në Itali
14 gusht 2018
| 18:15
Zyrtarët italianë kanë bërë me dije të paktën 30 persona kanë vdekur pas shembjes së një ure në qytetin Gjenova.
“Rreth 30 persona kanë vdekur dhe disa të tjerë janë të plagosur rëndë”, ka bërë me dije zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini.
Ura që u shemb papritur, njihet si Ura Morandi dhe është ndërtuar në vitet e ’60-ta.
Fotografitë nga vendi i ngjarjes tregojnë një pjesë të madhe me rrënoja nën hapësirën në mesin e urës.
Kryetari i Agjencisë për Mbrojtje Civile në Itali, Angelo Borreli, ka thënë se të gjitha viktimat duket se kanë qenë duke udhëtuar me makina në urë, kur ajo u shemb.
Autoritetet italiane njoftuan se rreth 30 makina dhe tre kamionë të tonazhit të rëndë ishin duke kaluar në urë, në momentin e shembjes.