Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Japoni
Autoritetet në Japoni kanë njoftuar se numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues po rritet, dhe se të paktën 62 persona kanë vdekur.
Një tërmet me magnitudë 7.6 goditi Japoninë të hënën, duke shkaktuar valë cunami më shumë se një metër të larta, zjarre dhe ndërprerje të komunikimit rrugor.
Më së rëndi është goditur gadishulli Noto, ku disa qindra ndërtesa u shkatërruan nga zjarri.
Autoritetet rajonale njoftuan sot se 62 persona u konfirmuan të vdekur, ndërsa më shumë se 300 u lënduan ku 20 prej tyre janë në gjendje kritike.
Mediet japoneze raportojnë se dhjetëra mijëra shtëpi janë shkatërruar.
“Kanë kaluar më shumë se 40 orë nga fatkeqësia. Kemi marrë shumë informacione për njerëzit që kanë nevojë për ndihmë dhe ka njerëz që presin ndihmë”, tha të mërkurën kryeministri Fumio Kishida pas një takimi urgjent të grupit të punës.