Rritet presioni ndaj Italisë për emigrantët
Italia është duke u përballur me presion në rritje pasi Kombet e Bashkuara dhe Komisioni Evropian, i kanë kërkuar Romës t’iu japë fund mospajtimeve lidhur me një anije me migrantë.
Anija e një organizate bamirëse gjermane, “Sea-Watch 3”, ka arritur të mërkurën në ishullin italian, Lampeduza me 42 emigrantë të shpëtuar.
Mirëpo autoritetet është thënë të kenë parandaluar atë që të ankorohet në brigjet e Italisë dhe asnjë shtet tjetër nuk ka ofruar ndihmë.
Kohën e fundit, partitë që tani drejtojnë Italinë kanë tentuar të mbyllin të gjitha portet për emigrantët.
“Është për keqardhje që situata ka ardhur deri këtu”, ka thënë zëdhënësi i Agjencisë së OKB-së për refugjatë, Charlie Yaxley.
“Shpëtimi në det është traditë qindravjeçare, dhe është obligim sipas ligjit ndërkombëtar, andaj anijet e organizatave bamirëse kanë shpëtuar mijëra jetë njerëzish në qendër të Mesdheut në vjetët e fundit”, është cituar të ketë thënë ai.
Komisionari për migrim i BE-së, Dimitris Avramopoulos, ka thënë përmes një deklarate se zgjidhja do të jetë e mundshme vetëm kur anija të ankorohet.
Fillimisht anija gjermane ka shpëtuar 52 emigrantë nga brigjet e Libisë. Autoritetet italiane kanë pranuar 13 prej tyre më herët gjatë këtij muaji, duke cituar arsye shëndetësore.