Rritet sërish çmimi i naftës në Kosovë
Çmimi i derivateve të naftës në tregun e Kosovës ka shënuar sërish rritje.
Çmimet në tregun e karburanteve po vazhdojnë të luhaten.
Nga java në javë litri i naftës po tregtohet ndryshe. Brenda 4-5 ditësh çmimi i naftës është rritur për gati dhjetë centë.
Në fillim të javës litri i naftës ka kushtuar 1.64 euro, ndërsa sot në disa pompa të derivative çmimi ka shkuar 1.74 euro.
Ndryshe, i pari i LDK-së Lumir Abdixhiku, i kishte propozuar qeverisë që të hiqet akciza për tre muajt e ardhshëm dhe të zvogëlohet TVSH-ja për naftën dhe derivatet e saja.
“Të reduktohet akciza dhe të zvogëlohet TVSH-ja në naftë për tre muajt e ardhshëm. Ky reduktim i përkohshëm duhet të ketë për qëllim përballueshmërinë jo vetëm të qytetarëve tanë, por sidomos të bujqve e transportuesve në vend, ndikimi i të cilëve në produkte e shërbime të tjera do të jetë edhe më i lartë”.
Agresioni rus në Ukrainë ka pasur ndikim të menjëhershëm në tregjet ndërkombëtare. Një krizë e tillë pritet të ketë ndikim edhe ekonominë e Kosovës duke sjellë shtrenjtim të produkteve të ndryshme.
Ekspertët presin përshkallëzim negativ ekonomik, ndërsa qytetarët ankohen për çmime të larta.
Përveç rritjes së çmimit të naftës, qytetarët e Kosovës po përballen me valë të rritjes së çmimeve të produkteve elementare.
Pas rritjes së çmimeve të hekurti, tani është rritur çmimi i naftës, grurit, vajit, kafes, sheqerit e bukës.
Tregu kosovar i varur kryesisht nga importet i është ekspozuar tërësisht rritjes së çmimeve, duke varfëruar shportën e konsumatorëve.
Çmimet e naftës kanë arritur nivele të reja pasi liderët e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për ndalimin e importit të naftës ruse gjatë mbrëmjes të së hënës. /Paparaci/