Rritet transparenca në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut
Gjatë këtij mandati, Kuvendi ka shënuar përparim të theksuar në rritjen e nivelit të transparencës për sa i takon punës së komisioneve, trupave mbikëqyrës dhe seancave plenare. Kjo u konstatua në konferencën e sotme me titull “Transparenca në Kuvend, sfidë për përbërjen e ardhshme parlamentare” që u mbajt në Kuvend me organizim të organizatës joqeveritare “MOST”.
“Për sa i takon viteve 2018 dhe 2019, 5 komisione kanë fituar 50 pikë indeksi gjatë këtyre dy viteve, 11 komisione kanë fituar vlerësime më të larta të transparencës në vitin 2019 krahasuar me vitin 2018 që është e ngjashme në dallimin mes 2018 dhe 2017 kur kemi pasur 12 komisione të tilla. E gjithë kjo tregon se transparenca e punës së komisioneve nga 46 në vitin 2018 të shkojë në 42 pikë indeksi në vitin 2019, megjithatë krahasuar me vitin 2017 është përparim I theksuar duke pasur parasysh se në vitin 2017 ishte 27 pikë indeksi”, tha Darko Aleksovski, MOST.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se transparenca në punën e institucionit më të lartë ligjvënës në vend ka qenë zotim i tij personal dhe institucional që nga marrja e mandatit, ndërsa u shpreh I kënaqur edhe nga diskursi që përdorin kohëve të fundit deputetët e të gjitha partive, për dallim nga ai që kanë përdorur në fillim të këtij mandate.
“Premtova se unë si kryetar dhe Kuvendi si institucion gjithmonë do të jemi të hapur për çfarë do nisme apo propozimi I cili do të jetë në funksion të forcimit të demokracisë parlamentare. Sot mundem me gojë të plotë të konfirmoj se në tre vitet e gjysmë e përmbushën këtë, arritëm shumë në fushën e Kuvendit të pavarur, transparent, të hapur dhe të qasshëm. Diskursi në fillim të mandatit dhe tani dallojnë edhe në mënyrë kualitative edhe në atë kuantitative”, Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Mbështetës i këtij projekti ka qenë Ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup, ndërsa zëvendës ambasadori britanez porositi se ka edhe shumë punë për tu bërë deri në arritjen e transparencës së plotë që do të jetë sfidë për përbërjen e ardhshme.
“Konkretisht me këtë projekt ne publikojmë raporte të publikuara në kuartale, duke ndjekur performancën e Kuvendit në disa kategori. Unë jam i lumtur që Kuvendi I është përgjigjur pozitivisht këtyre rekomandimeve dhe shohim përparim në cilësinë e njësive të punës dhe publikimin e përmbajtjeve në faqen tuaj. Gjithmonë ka më shumë për tu bërë, por rezultatet deri më tani janë premtuese dhe shpresojmë të vazhdoni kështu edhe me përbërjen e ardhshme parlamentare”, Dominik Otvej, zëvendës ambasador i Britanisë së Madhe.
Në këtë konferencë folën edhe zyrtar nga Kuvendi i Britanisë së madhe, sekretarja gjeneral e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut si dhe koordinator dhe kryetar të trupave parlamentarë./Shenja/