Rritet vëllimi i punës në shërbimin e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive

22 maj 2018 | 10:21

Funksionalizimi 24 orësh i shërbimit të Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka bërë që vëllimi i punës të rritet dukshëm dhe të shënohen rezultate që kanë reduktuar listat e pritjes.

Kështu është bërë me dije përmes një komunikate të QKUK-së, në të cilën sqarohet se në Shërbimin e Kardiologjisë Invazive këtë vit janë realizuar 890 koronarografi, 490 procedura intervente-stentime.

“Intervenimi është realizuar edhe tek 312 pacientë në fazën akute të infarktit të miokardit. Lista e pritjes për koronarografi nga 1 052 pacientë sa ka qenë para funksionalizimit 24 orësh, ka zbritur në më pak se 500, ndërkohë që prej javës së ardhshme fillojnë të ftohen pacientët që kanë bërë terminët si raste joemergjente gjatë vitit 2018. Ndërkohë, nga 102 pacientë që ishin në listë për stentim, tani janë në pritje 60 pacientë”, është theksuar në komunikatën e QKUK-së.

Sipas QKUK-së, gjatë këtij viti në shërbimin e Kardiokirurgjisë janë kryer 80 operime, ndërkohë nga fillimi i punës së menaxhmentit të ri, 100 operimet e para elektive (jo urgjente) pa vdekje, 0% mortalitet. “Lista e pritjes nga 406 pacientë, me pritje nga viti 2015, është reduktuar, tani janë në pritje 120 pacientë, nga janari i këtij viti (2018)”, thuhet në komunikatën e QKUK-së, duke shtuar se puna e kryer në këtë shërbim ka kursyer para që shpenzoheshin për mjekim jashtë vendit.

QKUK-ja ka dhënë edhe detaje për hapjen e sallave të reja.

“Nga puna e kryer në Kardiokirurgji dhe Kardiologji Invazive në QKUK, janë kursyer 3 milionë euro që më parë shkonin për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore. Po bëhen përgatitje intensive për hapjen e sallës së dytë operative në kardiokirurgji e cila do të ndodhë së shpejti, krahas kësaj hapet edhe salla e dytë e mjekimit intensiv me katër shtretër. Janë duke u bërë përgatitje intensive për hapjen e sallës së dytë të kateterizimit (angiografi-koronarografi i ri), funksionalizimi i saj pritet brenda dy muajve të ardhshëm”, është thënë ndër të tjera në komunikatën e QKUK-së.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për "Abcnews"…