Rritet vlera në treg e Mirlind Dakut
Ka dy lloj vlerësimesh për futbollistët. Njëri është ai që përcaktohet nga bisedimet e klubeve, dhe një tjetër nga vlerësimet teknike të agjencive të specializuara.
Për Mirlind Dakun erdhi moment për një rritje të vlerës së kartonit, dhe nga ana profesionale sulmuesi i kombëtares shqiptare vlen tani 7 milionë euro.
Këtë përcakton agjencia kryesore në botë për statistika të tilla, “transfermarkt”. Vlera e mëparshme e Dakut ishte 6 milionë euro. Gjithsesi, klubi I tij në Rusi, Rubini, kërkon 10 deri në 12 milionë euro për kartonin e tij, diçka që e ka pohuar edhe vetë futbollisti, por edhe mediat ruse.
Në çfarë do lloj rasti, rritja për lojtarin 26-vjeçar është meteorike. Nuk duhet të harrojmë, se Rubin pagoi vetëm 1.2 milionë euro për të kur e mori nga klubi kroat, Osijek, në korrik të vitit të kaluar, ndërsa për të është paguar gjithmonë 50 për qind më shumë sesa vlera teorike e kartonit.
Janari i 2025-ës pritet të jetë përcaktues për karrierën e Dakut, pasi siç thotë babai i tij, Feimi, synimi është ose rinovimi me kushte më të mira financiare tek Rubini, ose transferimi diku tjetër. Interesim për sulmuesin kuqezi ka pasur, por kërkesat e larta të klubit rus e kanë bërë të pamundur një lëvizje.