Rritja e çmimeve, pengesë e zbatimit të kontratave në projektet e investimeve kapitale
Një delegacion i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) i kryesuar nga kryetari Agim Aliu kanë pritur në një takim pune delegacionin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) të kryesuar nga kryetari, Berat Rukiqi, për të diskutuar problemet e ngritjes së çmimeve dhe sfidat që kanë operatorët ekonomikë për të vazhduar implementimin e projekteve të investimeve kapitale.
Në këtë takim kryetari i AKK-së, Agim Aliu, ka thënë se “këto probleme janë të ndërlidhura në punën e juaj dhe të komunave në vazhdimin e punës në implementimin e kontratave që kanë të bëjnë me projektet e investimeve kapitale. Ne nuk mund të ndikojmë në ndryshimet globale as në çmimet e bursave por si institucione dhe si shoqëri duhet të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët për të vazhduar punët e kontraktuara mes operatorëve ekonomikë dhe institucioneve tona”.
Në anën tjetër kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka thënë se të njëjtën shqetësim ndan edhe Oda Ekonomike e Kosovës.
“Kemi shumë kontrata të operatorëve ekonomikë me institucionet lokale dhe qendrore të nënshkruara me herët, ndërsa çmimet tash janë rritur tej mase dhe është gati e pamundshme për operatorët ekonomikë vazhdimi i zbatimit të atyre kontratave. Nëse kësaj ia shtojmë edhe problemin me OSHP-në, këto dy çështje do ndikojnë në ekonominë vendore dhe projektet në investime kapitale. Ne si OEK mendojmë se ka disa mundësi që qeveria të ndihmoj në këtë drejtim, po ashtu mund të marrim shembuj edhe nga rajoni, shtetet e të cilave kanë gjetur disa zgjidhje në këtë drejtim mes operatorëve ekonomikë dhe institucioneve shtetërore tek kontratat me projektet e investimeve kapitale”, ka deklaruar Rukiqi.
Në fund të takimit, palët janë pajtuar që me anë të një shkrese t’i drejtohen kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me disa kërkesa, zgjidhja e të cilave do të ndikonte në ekonominë e vendit, bizneset dhe vetë institucionet tona.
Me këtë rast, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës:
1. Të plotësohet dhe funksionalizohet Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
2. Të anulohet procedurat për të gjitha aktivitetet e prokurimit që janë në kontekste dhe të kthehen në ritenderim për shkak të ngritjes së çmimeve.
3. Të gjendet mundësia e rishikimit të kontratave aktuale dhe ndryshimit të çmimit të tyre konfrom ngritjes globale së çmimeve për projektet në investimet kapitale (ose edhe sipas indeksimit të sektorëve bazuar në të dhënat e Agjencionit të Statistikave të Kosovës).
Kjo situatë mund të detyroj operatorët ekonomik që të tërhiqen nga marrëdhëniet kontraktuale e që për pasojë do të shkaktoj konfiskimin e sigurimit të kontratës dhe futjen në listë të zezë të operatorëve që në aspektin zinxhiror do të ketë pasoja në ekonomitë biznesore dhe të punësuarit e tyre.