“Rritja e depozitave në banka është indikator i mungesës së sigurisë politike dhe juridike”
Shkruan: Safet Gërxhaliu
Sipas raportit të BQK – së të korrikut 2024, depozitat e klientëve në banka kanë arritur një vlerë të paprecedent prej 6.26 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 120.79 milionë euro ose 1.97% krahasuar me muajin paraprak. Këto të dhëna tregojnë qartë se shumë ndërmarrës dhe ekonomi familjare nuk po i përdorin këto mjete për të investuar brenda vendit, por po i mbajnë të bllokuara në depozita bankare, ose po planifikojnë të investojnë jashtë vendit, një trend ky që ka shënuar rritje në vitet e fundit.
Kosova vazhdon të përballet me një mungesë të theksuar të investimeve të huaja direkte, një trend që ka karakterizuar vendin për shumë vite dhe që, pa ndryshim të qasjes nga institucionet qeveritare, nuk pritet të ndryshojë në të ardhmen e afërt.
Përtej faktit se Kosova është larg për të tërhequr investitorë të huaj, ajo gjithashtu po bën shumë pak për të nxitur investimet vendore, duke krijuar një ambient të pasigurt politik dhe juridik që nuk është tërheqës për kapitalin vendor.
Në një mjedis të tillë, qytetarët e Kosovës po tregojnë gjithnjë e më pak besim për të investuar brenda vendit, një fakt që përforcohet nga të dhënat e fundit të publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.
Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rritje të depozitave janë të shumtë, por më të theksuarit janë:
Mungesa e një stabiliteti politik dhe juridik është një nga arsyet kryesore që dekurajon investimet vendore. Qytetarët nuk janë të sigurt se investimet e tyre do të jenë të mbrojtura nga ligji dhe se do të mund të zhvillohen në një ambient të qëndrueshëm politik.
Mungesa e politikave të favorshme fiskale me qrast bizneset në Kosovë vazhdojnë të përballen me një ambient fiskal të pafavorshëm që nuk mbështet zhvillimin e ndërmarrjeve prodhuese. Kjo ka bërë që shumë ndërmarrës të preferojnë të mbajnë kapitalin e tyre në depozita, sesa të rrezikojnë në investime që nuk janë të mbështetura nga politikat fiskale.
Mungesa e edukimit dhe promovimit të ndërmarrësisë prodhuese.Shumë pak është bërë për të edukuar dhe inkurajuar ndërmarrësinë prodhuese në vend. Pa një kulturë të fortë sipërmarrëse dhe pa stimuj të mjaftueshëm për të investuar në sektorët prodhues, shumë qytetarë zgjedhin të kursejnë në vend që të investojnë.
Mungesa e fushatave dhe nxitjeve për investime ku institucionet përkatëse nuk kanë arritur të zhvillojnë fushata të suksesshme për të nxitur investimet vendore. Nxitjet për investime, qoftë përmes subvencioneve, lehtësirave fiskale apo programeve të tjera mbështetëse, janë të pamjaftueshme dhe shpesh të paefektshme.
Mungesa e aftësive të ministrive të linjës për krijimin e mekanizmave zhvillimi: Institucionet qeveritare nuk kanë treguar aftësi për të krijuar mekanizma efektivë për zhvillimin ekonomik. Mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet ministrive përkatëse ka çuar në një situatë ku sektori privat mbetet i ngulfatur dhe pa mbështetje adekuate.
Ngulfatja e sektorit privat nga institucionet qeveritare ku sektori privat në Kosovë është ngulfatur nga politikat dhe praktikat burokratike të institucioneve qeveritare. Kjo e bën të vështirë për ndërmarrësit që të operojnë lirshëm dhe të marrin vendime të lira për investime.
Në këtë kontekst, është e vështirë të pritet që me këtë qasje aktuale nga institucionet, Kosova të mund të tërheqë investitorë të huaj. Mungesa e stabilitetit politik dhe juridik, së bashku me një mjedis të pafavorshëm për investime, i largon investitorët potencialë vendor, duke i bërë ata të zgjedhin vende të tjera në rajon apo më gjerë për të investuar kapitalin e tyre.
Institucionet qeveritare duhet të hartojnë strategji dhe mekanizma që të mbështesin çdo NVM apo biznes Start-Up që ka një plan investiv të qëndrueshëm. Kjo duhet të bëhet përmes një qasjeje të drejtpërdrejtë, siç është modeli “one-stop-shop”, dhe jo përmes thirrjeve për aplikime burokratike dhe të manipuluara. Qasja e drejtpërdrejtë dhe mbështetja efektive do të nxisë rritjen e prodhimit, eksportit dhe punësimit të të rinjve.
Përfundimisht, nuk është se Kosova është e varfër, por vendi po preferon të mbetet në këtë gjendje për të qenë në një farë mënyre “i gjithë populli i barabartë në varfëri apo barazi”. Qeveria duhet të ndërmarrë hapa të guximshëm për të ndryshuar këtë situatë dhe për të krijuar një ambient më tërheqës dhe të sigurt për investime, si për kapitalin vendor ashtu edhe për atë të huaj.