‘Rritja e pagave’, Kurti: Koeficienti njëjtë, por rritet njësia – nga janari plus 55 euro, në korrik bëhen 110 euro
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë mbajtur konferencë për medie.
Kurti fillimisht ka paraqitur të arriturat e qeverisë së tij, ku përmendi mbështetjen e prodhuesve dhe mbështetjen për familjet që sipas tij, ka ndikuar në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe shtimin e vendeve të reja të punës.
Më tutje, ai ka thënë se ekonomisë së Kosovës çdo vjet shtohet nga 1 miliard euro “sivjet po e kalojmë 10 miliardshin e vitin tjetër do ta shtojmë 11 miliardshin”.
Në këtë kontekst, Kurti ka thënë se pagat në sektorin publik do të rriten për një koeficient, i cili është 110 euro.
Ai ka thënë se në janar të vitit 2025 pagat do të rriten për 55 euro dhe në korrik po me të njëjtën shifër.
“Duke pasur parasysh nevojën për të mbështetur ata që kanë paga më të ulëta, ne kemi shkuar maksimumin e lejuar për rritjen e pagave. Nuk po e rrisim vlerën e koeficientit, por koeficientin për një njësi. Nga janari i vitit të ardhshëm, koeficienti do të rritet për 0.5 njësi dhe nga korriku për 0.5 njësi tjera. Pra, dikush që e ka koeficientin 5.6 i bëhet 6.1 në janar, ndërsa në korrik i bëhet 6.6. Të gjithë të punësuarit do t’u rriten pagat 55 euro nga janari, 110 në korrik”, ka thënë Kurti.