Rritja e rasteve me Covid-19 në Orlando shqetëson klubet e NBA-së
Nga dita e martë, të gjitha ekipet e NBA-së që do të vijojnë garën për titullin kampion (22 të tilla nga 30), mund të rinisin përgatitjet.
Sipas protokollit të sigurisë të miratuar, mund të stërviten vetëm 4 lojtarë njëkohësisht dhe stërvitjet do të jenë individuale. Kjo situatë do të zgjasë një javë: 23-30 qershor. Nga 1 korriku mund të stërviten 8 lojtarë njëkohësisht në qendrat stërvitore të skuadrave (+2 trajnerë) deri më 9 korrik, datë kur ekipet do të zbarkojnë në Orlando.
Në qytetin që ndodhet në Florida do të grumbullohen të gjitha ekipet dhe do të vijojnë aty fazën përgatitore, deri më 30 korrik, kur rinisin ndeshjet.
Gjithsesi, situata nuk duket e qetë në Orlando. Në shtetin e Florida, javën e kaluar janë regjistruar një numër në rritje i personave të infektuar me Covid-19. Kjo ka rritur panikun te NBA, sidomos te lojtarët e trajnerët, që do të udhëtojnë aty.
Kjo ka bërë që ekipi kanadez i Torontos të shtyjë vajtjen në Orlando me disa ditë, ndërkohë që ekipet pasi të mbërrijnë do të qëndrojnë në karatinë dhe kryejnë testet.