Rritja e rasteve me Covid-19, shqetësuese
Infektologu Valbon Krasniqi ka bërë me dije se rritja e rasteve me Covid-19 do të mund të shkaktojë sfida serioze në menaxhimin e pandemisë.
Ai ka thënë se rritja e menjëhershme e rasteve të reja me koronavirus është shumë shqetësuese.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Krasniqi u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të jenë të kujdesshëm në daljet e tyre dhe të bartin maska.
“Është shumë shqetësuese rritja kaq e madhe e numrit të rasteve të reja me Covid-19 për një periudhë të shkurtër kohore. Kjo mund të na shkaktojë sfida serioze për sa i përket menaxhimit të pandemisë. Jemi të shqetësuar sidomos për aspektin klinik të pandemisë, sepse numri i të shtrirë është rritur në mënyrë të shpejtë ditët e fundit, e që pritet të kemi numër të madh të rasteve pas rasteve të reja të të infektuarve”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka bërë me dije se institucionet përgjegjëse janë në përcjellje të situatës dhe përgjigjja duhet të jetë sipas nevojës. “Unë besoj se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik janë duke e përcjell me vëmendje situatën epidemiologjike, por ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë t’i respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së këtij virusi. Pra, ata duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mbajnë maska, në mënyrë të veçantë në ambientet e mbyllura si dhe ta ruajnë distancën fizike”, është shprehur ai. Sipas tij, shqetësuese në këtë fazë është qarkullimi dhe mosrespektimi i masave nga ata që janë konfirmuar me Covid-19 pozitiv dhe që janë asimtomatikë.
Krasniqi ka thënë se qarkullimi i tyre duhet të monitorohet nga institucionet përkatëse.
Ai ka treguar se nëse fluksi i të infektuarve vazhdon të rritet, institucionet shtetërore do të përballen me një presion të madh. “Nëse vazhdon të kemi numër të madh të rasteve dhe rrjedhimisht të atyre që kanë nevojë për trajtim spitalor, shumë shpejt institucionet tona do të gjenden përballë një presioni të jashtëzakonshëm për t’i trajtuar këto raste. Tanimë ne si QKUK dhe ShSKUK kemi aktivizuar planin që kemi pasur në fillim”, ka deklaruar Krasniqi.
“Epoka e re”: Ditët e fundit është shtuar numri i të infektuarve me Covid-19. Sa po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike në vend me shtimin e rasteve?
Krasniqi: Është shumë shqetësuese rritja kaq e madhe e numrit të rasteve të reja me Covid-19 për një periudhë të shkurtër kohore. Kjo mund të na shkaktojë sfida serioze për sa i përket menaxhimit të pandemisë. Jemi të shqetësuar sidomos për aspektin klinik të pandemisë, sepse numri i të shtrirëve është rritur në mënyrë të shpejtë ditët e fundit, e që pritet të kemi numër të madh të rasteve të reja të të infektuarve.
“Epoka e re”: Sa janë institucionet shëndetësore në gjendje ta përballojnë këtë fluks të të infektuarve?
Krasniqi: Që në fillim të pandemisë kemi potencuar se një e pesta e të infektuarve kanë kërkuar trajtim spitalor. Nëse i krahasojmë vetëm dy javët e fundit, nuk është se kemi përqindje kaq të lartë të të shtrirëve në spital. Pra, kemi rreth 10 për qind të të gjithë të infektuarve. Mirëpo shqetësimi ynë është se rritja ka ardhur e përnjëhershme për një periudhë të shkurtër kohore. Kjo i vë në pozicion sfidues dhe presion të madh institucionet shëndetësore për ta përballuar fluksin e pacientëve të cilët do të kenë nevojë për një trajtim spitalor. Mund të bëj një krahasim, ne për tre muaj e gjysmë kemi pasur rreth 200 pacientë të shtrirë në Klinikën Infektive, ndërsa vetëm brenda dy jave i kemi mbi 60 pacientë të shtirë të konfirmua me Covid-19.
“Epoka e re”: Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës vazhdimisht ka bërë thirrje për kujdes të shtuar pas lehtësimit të masave, mirëpo këto këshilla nuk janë respektuar nga qytetarët. Si institucione shëndetësore, keni menduar për ndërmarrjen e ndonjë mase më radikale në këtë drejtim?
Krasniqi: Besoj se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik janë duke e përcjellë me vëmendje situatën epidemiologjike. Por ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë t’i respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së këtij virusi. Pra, ata duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mbajnë maska, në mënyrë të veçantë në ambientet e mbyllura si dhe ta ruajnë distancën fizike. Një tjetër shqetësim që kemi ne si klinistë është se tani edhe pacientët që janë të konfirmuar pozitivë me Covid-19, që janë asimtomatikë dhe nuk kanë nevojë për trajtim spitalor, nuk janë duke i respektuar masat pasi janë duke qarkulluar. Ne kemi pasur raste në kliniken tonë që familjarët tentojnë t’i vizitojnë të infektuarit që janë të shtrirë këtu. Kjo është e patolerueshme. U bëj thirrjeve institucioneve që ta monitorojnë edhe lëvizjen e personave me Covid-19 pozitiv dhe të kontakteve të tyre, sepse këta bartin rrezik serioz për përhapje të infeksionit.
“Epoka e re”: Nëse fluksi i të infektuarve vazhdon të jetë i lartë edhe në ditët në vazhdim, a mund të kthehemi në kushte të izolimit siç kemi qenë në fillim të pandemisë?
Krasniqi: Unë ju flas për aspektin klinik. Nëse vazhdon të kemi numër të madh të rasteve dhe rrjedhimisht të atyre që kanë nevojë për trajtim spitalor, shumë shpejt institucionet tona do të gjenden përballë një presioni të jashtëzakonshëm për t’i trajtuar këto raste. Tanimë ne si QKUK dhe ShSKUK kemi aktivizuar planin që kemi pasur në fillim, kemi liruar hapësirat e Klinikës së Pulmologjisë dhe të Dermatologjisë për t’i rritur kapacitete tona dhe për t’u përballur me këtë situatë. Në total për momentin kemi 250 shtretër dhe jemi duke përgatitur një hapësirë për kujdes intensiv për pacientët që do të kenë nevojë përkujdesje klinike.
“Epoka e re”: Po në aspektin e resurseve humane, sa ka kapacitet Kosova ta përballojë rritjen e fluksit të të infektuarve?
Krasniqi: Sa iu përket kapaciteteve të shtretërve, ajo nuk do të paraqesë ndonjë problem të madh sepse ata do të akomodoheshin në klinika të tjera. Problem do të jenë resurset humane, specialistët e fushave përkatëse që do t’i trajtojnë këto raste. Ju e dini numrin e infektologëve në Klinikën Infektive, që jemi 21, përafërsisht kaq janë edhe nëpër klinika regjionale. Prandaj, do të jetë një sfidë e jashtëzakonshme për t’i trajtuar rastet e reja.
(Muhamet Koci)