Rritja e rasteve me Covid, Hoti takon Zemajn dhe përfaqësuesit e IKShPK-së dhe ShSKUK-së
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së dhe drejtorin e SHSKUK-së, me të cilët ka biseduar për situatën epidemiologjike kundër Covid-19.
“Pasi që vendi gjendet para një vale të re të shpërthimit të pandemisë Covid-19, kërkuam mirëmbajtjen e masave në fuqi dhe respektimin e plotë të tyre. Ndërkohë që, institucionet shëndetësore janë duke punuar intenzivisht për rritjen e kapaciteteve, sigurimin e barnave dhe rritjen e numrit të personelit mjekësor”.
“Nga shtabet komunale, policia, AVUK-u dhe Inspektoratet, kërkuam që të rrisin angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit Covid-19 dhe në të njëjtën kohë të bëjnë respektimin rigoroz të masave në fuqi”, ka thënë Hoti.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.
“Sa i përket furnizimit me vaksina, gjatë këtij muaji pritet të arrij kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX. Nga ky mekanizëm Kosova do të përfitoj 100 mijë e 800 doza të vaksinës anti Covid-19, ndërkohë që janë duke u zhvilluar negociata intensive edhe me prodhues të tjerë për të siguruar numrin e nevojshëm të vaksinave me qëllim të imunizimit të plotë të popullsisë”, ka deklaruar Hoti.