Rritja e rasteve me Covid, IKShPK-ja me apel për qytetarët: Bartni maskat dhe vaksinohuni
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë me dije se gjatë këtyre ditëve janë rritur rastet e reja me Covid.
Me këtë rast, IKShPK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bartin maskat në ambientet e mbyllura dhe të vaksinohen.
“MSh-ja dhe IKShPK-ja rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksininohen kundër Covid-19”, është në njoftimin e IKShPK-së.
Njoftimi i plotë i IKShPK-së:
Të nderuar qytetarë!
Ju lutemi bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe vaksinohuni!
Kosova shënon këtyre ditëve rritje të rasteve të reja të Covid-19 por fatmirësisht nuk ka raste të vdekjeve nga kjo sëmundje.
Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të Covid-19, sepse pandemia Covid-19 nuk ka mbaruar.
IKShPK-ja është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështërsi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.
Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë ata që ende se kanë bërë këtë, kurse të tjerët me dozën e dytë dhe dozën e tretë të vaksinës kundër Covid-19.
MSh-ja dhe IKShPK-ja rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksininohen kundër Covid-19.
#Vaksinohu!