Rritja e rasteve me Covid, IKShPK vjen me një paralajmërim alarmant
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen dhe të mbajnë maskën nëpër ambiente të mbyllura.
Kjo thirrje vjen në pas publikimit të rasteve të reja me Covid, ku vetëm sot janë raportuar 407 persona të infektuar me koronavirus.
“Ju lutemi bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe vaksinohuni! Kosova shënon këtyre ditëve shtim të rasteve të reja të COVID-19 me tendencë të rritjes ditët në vijim”, ka njoftuar IKShPK-ja.
Njoftimi i plotë i IKShPK-së:
Të nderuar qytetarë!
Ju lutemi bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe vaksinohuni!
Kosova shënon këtyre ditëve shtim të rasteve të reja të Covid-19 me tendencë të rritjes ditët në vijim.
Fatmirësisht nuk ka raste të vdekjeve nga kjo sëmundje.
Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të Covid-19, sepse pandemia Covid-19 nuk ka mbaruar.
IKShPK-ja është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.
Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë ata që ende se kanë bërë këtë, kurse të tjerët me dozën e dytë dhe dozën e tretë të vaksinës kundër Covid-19.
MSh dhe IKShPK-ja rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksinohen kundër Covid-19.