Rritja e rasteve me Covid, ministri Latifi paralajmëron masa të reja
Kosova në ditët e fundit ka shënuar rritje të rasteve pozitive me Covid-19. Lidhur me këtë, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi është shprehur i shqetësuar, duke paralajmëruar se shumë shpejt në Kosovë do të nis vaksinimi me dozën e katërt të vaksinës kundër Covidit.
Latifi ka bërë me dije se shumë shpejt do të takohet Komiteti për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike për të diskutuar për masat e nevojshme që duhet marrë.
“Unë jam i shqetësuar për atë shkak, kjo nuk është vetëm në Kosovë është në gjithë botën duke ngjarë. Është mirë që janë rastet më të buta nuk kemi vdekje tash e disa kohë, por megjithatë unë jam i shqetësuar. Komiteti për masat e duhura do të takohet shumë shpejt ne jemi duke menduar me i marr masat e duhura konform gjithë vendeve të kontinentit të Evropës dhe të gjithë botës”, ka thënë ai.
Më tutje, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.
“Ne do t’i vendosim në bazë të atyre që ekspertizës dhe shkencëtarët tanë na këshillojnë unë kisha propozuar që ju ta plasoni dhe njëherë ftesën tonë të përgjithshme që secili që nuk është vaksinuar të vaksinohet. Ata që i kanë marrë dy vaksina të marrin edhe vaksinën e tretë, por edhe shumë shpejt do të fillojmë edhe me vaksinën e katërt. Shumë shpejt, sa më shpejt që është e mundur do të fillojmë”, ka thënë Latifi, duke bërë me dije se janë duke punuar në 17 ligje dhe akte ligjore.
Vetëm në 24-orëshin e fundit janë regjistruar 29 raste të reja me Covid-19, ndërsa nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes. Në Kosovë janë mbi 160 raste aktive me Covid.