Rritja e tanishme ekonomike është nga burime të paqëndrueshme
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka thënë se rritja e tanishme ekonomike është nga burimet jo të qëndrueshme.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se në shumë raste bizneset përballen me padrejtësi nga sistemi gjyqësor.
Rukiqi ka thënë se shumë ligje dhe projektligje të nevojshme që kanë të bëjnë me ekonominë presin me muaj në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka folur edhe për arsyen e ikjes së të rinjve. Rukiqi ka theksuar se qytetarët e Kosovës në vazhdimësi kanë ikur për shkaqe politike dhe ekonomike.
Në këtë intervistë ai ka komentuar edhe zërat për mundësinë e daljes së Kosovës nga CEFTA.
“Epoka e re”: Z. Rukiqi, si është gjendja e sektorit privat dhe cilat sfida po adresohen tek OEK-u?
Rukiqi: Në pozitën e përfaqësuesit të sektorit privat, ku janë ndërmarrjet që janë kontributdhënëse kryesore në buxhetin e shtetit, zhvillimin e vendit dhe të krijimit të vendeve të punës, sfidat janë në shumë dimensione. Gjithmonë kemi tentuar ta adresojmë pjesën e të bërit biznes në disa elemente që kanë qenë të ndërlidhura me periudhën e pasluftës, duke filluar nga energjia elektrike që jo vetëm nga aspekti i kostos, por edhe nga aspekti i stabilitetit dhe alternativave, mbetet një çështje e pazgjidhur.
Elementi i dytë ka të bëjë me mënyrën e funksionimit të tregut të punës, që ka të bëjë me dy dimensione: mungesën e gatishmërisë për të punuar në sektorin privat, për faktin se kemi konkurrencë nga sektori publik, por edhe nga vendet e jashtme kur kemi ikje të trurit dhe mungesën e shkathtësive të punëtorëve, pasi po na del si rezultat se sistemi arsimor nuk po i jep shkathtësitë në harmoni me nevojat e tregut të punës.
Elementi i tretë lidhet me sundimin e ligjit dhe përhapjen e korrupsionit, që është sfidë në vete në saje të elementeve burokratike që krijojnë mitmarrjen. Pastaj problem është informaliteti në vete dhe vetë funksionimi i gjykatave. Jemi vendi me pritje më të mëdha, sidomos për lëndët komerciale dhe nuk ka një mekanizëm gjyqësor që i trajton lëndët komerciale, tregtare dhe investive. Në shumë raste bizneset përballen me padrejtësi nga sistemi gjyqësor, i cili do të duhej të krijonte drejtësi, por po shohim se kemi vonesa deri në tetë vjet.
Vetëm zhvillimi i sektorit privat garanton rritje të qëndrueshme ekonomike. Duke e ditur se rritja e tanishme ekonomike është nga burimet jo të qëndrueshme. Normalisht se është diaspora duke financuar konsumin dhe buxheti i shtetit duke financuar investimet publike si kontributdhënësi kryesor, që në periudhë afatmesme dhe afatgjatë nuk është rritje e qëndrueshme, e cila nuk krijon vende të punës, pavarësisht se kemi rritje ekonomike më të madhe sesa vendet e tjera në rajon.
“Epoka e re”: Po sa iu përket politikave tatimore?
Rukiqi: Infrastruktura tatimore duhet ta ketë rolin këshillues, edukues dhe vetëdijesues më shumë sesa rolin ndëshkues, sepse roli ndëshkues është i fundit. Kosova nuk e ka pasur problem përmbushjen tatimore për arsyen se ka qenë në shkallën e lartë të renditur në këtë aspekt dhe bizneset janë vigjilente për përmbushjen e obligimeve. Mund të ketë ndonjë gabim, por është kulturë e ndërtuar dhe nuk ka raste të shumta të bizneseve të anës formale. Fokusi i ATK-së nuk duhet të jetë ndëshkimi i bizneseve të rregullta, por për ato biznese që janë komplet në informalitet apo shkaktarët kryesorë të evazionit fiskal. Një pjesë e madhe e informalitetit lidhet me TVSh-në. Besoj se kemi një problem me vetë fokusin dhe rolin e ATK-së, pra nuk duhet të jetë ndëshkimi, por krijimi i kushteve për zgjerim të bazës tatimore dhe puna e vazhdueshme me tatimpagues që të identifikohen problemet e lidhura me informalitetin, në të njëjtën kohë të rriten deklarimet konform rritjes së performancës së biznesit.
“Epoka e re”: E përmendët si sfidë grumbullimin e lëndëve ekonomike. A do të duhej të kishim një gjykatë të veçantë për çështje ekonomike?
Rukiqi: Ekziston një projekt nga ShBA-ja. Kemi filluar bashkëpunimin me USAID-in për drejtësinë komerciale. Qëllimi kryesor është fuqizimi i drejtësisë komerciale, sidomos duke shtyrë përpara idenë për krijimin e Gjykatës Komerciale.
“Epoka e re”: Kemi një mori projektligjesh të prolonguara në Kuvendin e Kosovës. Çfarë pasojash ekonomike mund t’i sjellin vendit?
Rukiqi: Deputetët më shumë pëlqejnë të hyjnë në debate të kota dhe jo në interes të biznesit. Pra, ata bëjnë debate që janë të politikës ditore, e cila nuk krijon efekte në mirëqenien e qytetarëve dhe të zhvillimit të biznesit. Shumë ligje dhe projektligje të nevojshme presin me muaj dhe kjo nuk është mënyra e duhur që të adresohen problemet e vendit.
“Epoka e re”: Si është duke ecur bashkëpunimi me Shqipërinë?
Rukiqi: Pika e Durrësit është transit dhe kompanitë janë të kënaqura. Pika doganore e përbashkët është mundësi e mirë, por nga bisedat që kemi me kompanitë, ende ekzistojnë barriera jotarifore, pengesa administrative, mosnjohje certifikatash dhe vonesa në kufi. Pastaj edhe fushatat negative kundër produkteve tona që po ndikojnë janë në rritje. Kemi menduar se infrastruktura e transportit do të ndikojë shumë më shumë, por po shihet se ka një lloj ngërçi edhe nga ana administrative, por edhe nga ana e besueshmërisë, pasi ka një lloj mosbesimi ndaj produkteve të Kosovës.
“Epoka e re”: Cila është gatishmëria e investitorëve të huaj për Kosovën dhe a ka ndonjë kërkesë të paraqitur tek OEK-u?
Rukiqi: Ka vazhdimisht kërkesa për informacione dhe vlerësim të gjendjes. Muajin e ardhshëm jam i ftuar nga kompanitë japoneze që janë në Evropë, kryesisht në Gjermani, të cilat shikojnë vende për të investuar dhe që kanë kosto më të ulët të operimit, sidomos të fuqisë punëtore, që t’i prezantojnë mundësitë e investimeve jo vetëm për Kosovën, por edhe për ekonominë rajonale, pasi duhet ta shohim edhe rajonin. Ka shumë shqetësime të shprehura në lidhje me sigurimet juridike, sidomos tash në vitet e fundit që kemi rritje të riskut politik, pasi ka zhvillime dramatike politike. Ka zgjedhje të shpeshta, vonesa në krijimin e qeverive, që të gjitha këto ndikojnë në interesimin e investitorëve.
“Epoka e re”: Po për “Trepçën” a ka pasur interesim tani pas zgjidhjes së infrastrukturës ligjore?
Rukiqi: ‘Trepça’ është mundësi e mirë, por nuk duhet të jetë fokusi kryesor. Më shumë ka disponim për investime në sektorët jotradicionalë. Sektori minerar është mjaft i rëndësishëm, por kërkon investime të mëdha. Shtoja këtu edhe gjendjen nëpër të cilën ka kaluar kjo ndërmarrje. Infrastruktura ligjore është hap pozitiv, pasi kemi orientim se në çfarë drejtimi mund të shkojë. Por bëhet fjalë për investime që kanë kosto të lartë dhe vonesa në kthim të investimeve. Pastaj kemi edhe aspektin infrastrukturor të pajisjeve dhe koston sociale që bartë. Të gjitha këto ndikojnë në vendimin e tyre për investime. Është hap pozitiv dinamika për qartësim ligjor, por që merr kohë për investitorë seriozë.
“Epoka e re”: Sa po rrezikohet Kosova të mbetet pa fuqi punëtore, meqë po sfidohemi në dukurinë e ikjes së trurit?
Rukiqi: Duhet ta shohim trendin që u ndodhi vendeve të tjera në tranzicion, sidomos vendeve të Evropës Lindore, kur u anëtarësuan në BE dhe u hap mundësia e lëvizjes. Pra, është liberalizimi i tregut të shërbimeve dhe të gjitha këto kanë ndikuar që qytetarët çekë, polakë, hungarezë dhe tash së fundi edhe ata kroatë të shkojnë në vende të tjera për të punuar me kushte më të mira dhe me mirëqenie dhe siguri sociale më të lartë. Të gjitha këto përfitime kanë ndikuar që këto vende të zbrazën nga fuqia punëtore apo “brain drain”. Me këtë po ballafaqohemi edhe ne tani. Qytetarët e Kosovës në vazhdimësi kanë ikur për shkaqe politike dhe ekonomike. Tash së fundi po vërejmë një rritje më të lartë, edhe pse nuk kemi statistika të sakta dhe nuk mund të bëjmë analiza të sakta. Megjithatë, kemi të dhëna nga Eurostati për ulje të popullsisë. Nuk po them se do të mbesim pa qytetarë apo do të shkojnë të gjithë, por një pjesë solide e tyre, edhe ata të profesioneve specifike, si mjekësia dhe inxhinieria, ka tendencë të ikjes sidomos në Gjermani. Tani po shohim kërkesa edhe për sektorin e turizmit dhe atë të gastronomisë në Kroaci për shkak të sezonit turistik. Realisht, është vazhdim i fenomenit që ka ndodhur në vendet e tjera në tranzicion. Normalisht me ritëm më të shpejtë, për shkak të përparimit të ngadaltë në shtetndërtim. Të gjitha këto do të krijojnë telashe. Tani kemi telashe edhe për sektorin prodhues të ndërtimit, atë shëndetësor, të turizmit dhe, së fundi, të tregtisë me pakicë. Çekia bëri marrëveshje me shtetet aziatike dhe të Amerikës Latine për import të fuqisë punëtore. Këtë e kam paralajmëruar se nuk do të ndodhë këtë vit, por kompanitë po eksplorojnë për punëtorë, qoftë në rajon apo në vende më të largëta.
“Epoka e re”: Si i komentoni zërat për mundësinë e daljes nga CEFTA?
Rukiqi: Ne nuk duhet ta kemi çështje të hapur daljen nga CEFTA. Duhet t’i presim zgjedhjet në Evropë dhe Komisionin e ri Evropian që vjen. Pastaj është mundësia për të pasur rinegocim për CEFTA-n. Problemi nuk zgjidhet se a jemi si UNMIK apo si Kosovë, por nëse krijohen kushte të barabarta që në çdo konkurrencë të padrejtë t’i mbrojmë produktet apo të krijohen mekanizma që mundësojnë eliminimin e barrierave jotarfiore. Kjo krijon mundësi në çdo konkurrencë të padrejtë t’i mbrojmë produktet. Kostoja e konkurrencës së padrejtë që vendet ia bëjnë njëra-tjetrës është më e madhe sesa të kishte tarifa. Kjo është arsyeja që duhet të ringeociohet dhe të krijohen mekanizma që çdo problemi t’i japin zgjidhje efikase dhe obliguese.
“Epoka e re”: Po sa i përket OBT-së?
Rukqi: Besoj se është proces që e kanë ndjekur të gjitha vendet dhe është i lidhur me përparimin e integrimeve evropiane. Pa pasur përparim në integrime është e pamundur të kemi përparim në OBT.
(Albulena S. MAVRAJ)