Rritja e temperaturave, rrit edhe rastet në emergjencë
Pas ditëve me reshje shiu, në Kosovë është kthyer moti i nxehtë. Temperaturat maksimale këto ditë pritet të arrijnë deri në 34 gradë celsius.
Gjatë kësaj jave pritet të mbajë mot i nxehtë me temperatura të larta, e që është një ndryshim mjaft i madh me javët që po lëmë pas, kur vendi ishte përballur me vranësira dhe reshje të vazhdueshme shiu.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, të mërkurën dhe të enjten priten të shënohen vlerat më të larta të temperaturave.
Për shkak të këtyre temperaturave në Klinikën Emergjente tashmë kanë filluar të shtohet numri i personave që kërkojnë shërbime mjekësore.
Mjekët kanë këshilluar sidomos të moshuarit, personat me probleme shëndetësore dhe shtatzënat, të mos i ekspozohen rrezeve të diellit gjatë mesditës.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani, ka bërë me dije se kryesisht personat e moshuar janë duke kërkuar ndihmë në këtë klinikë.
Megjithatë sipas meteorologut Mendim Rugova temperaturat që pritet ta kaplojnë vendin, nuk konsiderohen të jashtëzakonshme.
Mjekët këshillojnë që në ditët e nxehta të përdoren sa më shumë lëngje, sidomos një ose dy litra në ditë dhe duhet konsumuar ushqime me karbohidrate dhe vitamina dhe sa më pak ushqime që përmbajnë yndyrë. (Ksp)